Juventusi feston në derbin ndaj Torinos, mjafton goli i Dusan Vlahovic

by admin
Spread the love

Izolimi në qendrën stërvitore duket se ka bërë që te Juventusi të reflektojnë pasi këta të fundit arrijnë të mposhtin në derbin e qytetit Torinon. Të besuarit e Allegrit triumfojnë me rezultatin minimal 1-0 në një ndeshje që foli më së shumti për bardhezinjtë dhe për super pritjet e portierit Milinkovic-Savic.

Ndeshja nis qetë nga të dyja ekipet që fillimisht kërkojnë të studiojnë taktikat e kundërshtarit pa hyrë shumë në aventurë. Megjithatë, me kalimin e minutave nis të rritet edhe presioni me Torinon që jep shkëndijën e parë me një goditje të Lukic nga distanca.

Ky rast duket se zgjon edhe Juventusin që merr situatën në kontroll dhe është dukshëm më i vendosur në kërkim të golit. Dusan Vlahovic udhëheq tentativat për “Zonjën e Vjetër”, por përballë ka një Milinkovic-Savic në superformë që nuk e lejon topin të tund rrjetën. Provojnë për Juventusin edhe Locatelli e Rabiot, por pa sukses.

Pjesa e parë përfundon në barazim pa gola dhe gjithçka mbetet për t’u vendosur në franksionin e dytë. Është sërish ekipi i Juventusit që kërkon me ngulm golin dhe fillon të rrezikojë menjëherë portën e Torinos. Është fillimisht Locatelli që i afrohet golit, por goditja e tij ndalet sërish nga Milinkovic-Savic.

“Zonja e Vjetër” do t’i afrohej sërish golit me Dusan Vlahovic që godet me kokë, por gardiani serb i Torinos është në një mbrëmje të mirë. Megjithatë, ky i fundit mposhtet nga Vlahovic në minutën e 74-t, kur sulmuesi serb arrin të devijojë brenda kuadratit një goditje me kokë të Danilos.

Një gol që i fal më shumë qetësi ekipit të Allegrit që tashmë duhet thjesht të menaxhojë rezultatin. Bardhezinjtë e bëjnë këtë gjë më së miri duke neutralizuar të gjitha rastet e Torinos që edhe pse hidhet në sulm, nuk gjen hapësirat e nevojshme në mbrojtjen e Juventusit. Kështu në fund sfida përfundon me fitoren minimale të “Zonjës së Vjetër” që tashmë kërkon të ringrihet pas fitores në derbi. Me këtë fitore Juventusi ngjitet në kuotën e 17-të pikëve, ndërsa Torino pas 10 javësh ka grumbulluar 11 pikë. /oversport.tv

Foto: JuventusFC, Twitter

You may also like