“Jo”-ja e fortë e Presidentes për Kryeprokurorin e ri të Kosovës – Shqip

by admin
Spread the love

Presidentja Vjosa Osmani njoftoi se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Emrin e tij, Këshilli Prokurorial i Kosovës ia dërgoi Presidencës që më 8 prill 2022.

Kësaj çështjeje, gruaja që drejton shtetin e Kosovës i kushtoi një konferencë për media ku shpjegoi psetë e refuzimit.

Ajo në fillim përmendi shkeljet ligjore, duke arsyetuar: “Përgjegjësia ime për garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve, më obligon që ndaj një procesi të tillë që cenon rëndë parimet dhe vlerat fundamentale të kushtetutës sonë, sikurse edhe prodhon padrejtësi konkrete dhe diskriminim, të mos rrijë duarkryq.

Prandaj, siç e përmenda edhe në fillim sot e kam njoftuar KPK-në lidhur me këtë vlerësim të procedurës, i cili duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e përmendura, më obligon që të mos bëjë dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror, sipas propozimit të KPK-së, të datës 8 prill 2022″, tha Osmani.

Por më kryesore, ajo foli për presione që kishte patur lidhur me këtë emër.

“Në një vend demokratik ata që mendojnë se mund të marrin vendime duke kërcënuar kreun e shtetit, do të duhej të ishin jashtë sistemit. Ato janë presione të paligjshme, që duke menduar se duke kërcënuar kreun e shtetit të marrin nënshkrime. E nuk do të marrin, unë jam e pavarur nga çdo ndikim tjetër.

Ka pasur presione të tjera, njerëz që dërgonin mesazhe që nëse nuk e dekreton nuk e nënshkruan do të bëjmë dosje, do të ngrisim aktakuza, do t’i lidhim duart. Por ata duhet ta dinë që këto më shumë se dy dekada që jam në politikë presionet asnjëherë nuk kanë bërë punë”, shtoi Osmani.

Ajo tha se i ka kërkuar Këshillit Prokurorial që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë.

Me ligjin në Kosovë, kryeprokurori duhet të dekretohet nga presidenti i shtetit.

Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Kryeprokurorit të deritashëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill, 2022.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit. /tesheshi.com/

You may also like