Jildiz kërcënon Juventusin, më shumë minuta ose ikën

by admin
Spread the love

Dhurata e festave për tifozët e Juventusit në fundvitin që lamë pas ishte… Kenan Jildiz. Shkëlqimi dhe shpërthimi i talentit turk në sfidat e fundit të dhjetorit 2023, por edhe në ato të muajit janar, në të cilat foli jo vetëm me disa goditje spektakolare, por edhe me 3 gola mes kampionatit dhe Kupës së Italisë, papritur 18-vjeçari ka humbur gjurmët.

Dhe ndoshta nuk duket as rastësi se, që prej kohës kur Jildiz nuk ka shkelur më si titullar me bluzën bardhezi në fushë, edhe Juventusi papritur ka përfunduar në një krizë, e cila ka ofruar 1 fitore në 8 ndeshjet e fundit. Por çfarë është më e keqja, papritur duket sikur Masimiliano Alegrin ka humbur memorien dhe e ka lënë në harresë Jildizin.

Minutazhi i tij ka përfunduar të jetë me pikatore: 28 minuta me Frozinonen, 14 me Napolin, vetëm 2 me Atalantën dhe diçka më shumë se gjysmë ore kundër Xhenoas… Ndonëse në fund rezultati ka qenë 0 gola dhe 0 asiste për vitin 2024. E gjithë kjo situatë nuk po i pëlqen aspak Kenan Jildizit, i cili pavarësisht kësaj është thirrur sërish në kombëtaren e parë nga trajneri Vinçenco Montela, por në të njëjtën kohë për të klubet më të mëdha të Europës janë në radhë.

Kështu që nga Turqia vijnë lajmet se nëpërmjet menaxherit të tij, fantazisti i ka lëshuar një kërcënim të hapur bardhezinjve, më konkretisht trajnerit Alegri: ose nis që të luajë me minutazh më të plotë, ose në verë është gati që të mendojë qëndrimin e tij në Torino. Pa dyshim që e ardhmja është e gjitha e tija, duke qenë se më 4 maj do të festojë 19-vjetorin, por ndoshta Jildiz ndihet i pjekur dhe gati që tani për të marrë përgjegjësi përsipër, siç ka treguar sa herë i është dhënë shansi si titullar. Dhe ndoshta që nga ndeshja me Lacion, në të cilën do të mungojë Dushan Vlahoviç, Jildiz kërkon një shans për t’u rikthyer nga minuta e parë…

JETON STAFMOLLA-PANORAMASPORT.AL

You may also like