Jeta në burgun e Guantanamos, përmes fotografive të papublikuara më parë

by admin
Spread the love

Gazeta amerikane “New York Times” ka publikuar për herë të parë fotografi që tregojnë mënyrën se si transportoheshin dhe trajtoheshin të burgosurit në burgun e Guantanamos, që ndodhet në Kubë.

Në fotot e publikuara duken të burgosurit e parë që mbërritën në atë burg, në vitin 2002, të cilët mbahen me pranga dhe sy e veshë të mbuluara. Këto janë fotot e para nga brenda kampit famëkeq, të cilat bëhen publike, që nga rrjedhja e informacionit të publikuar në vitin 2011 nga WikiLeaks.

Këto foto, që tregojnë jetën e të burgosurve të parë – të ndaluar si të dyshuar për akte terrorizmi – të realizuara pak muaj pas sulmeve të 11 Shtatorit, u përftuan përmes aplikimit të Ligjit për Lirinë e Informacionit.

Sipas “NYT”, fotot janë realizuar për t’i treguar Sekretarit Amerikan të Shtetit të atëhershëm, Donald Rumsfeld, dhe autoriteteve të tjera në Uashington, sesi po shkonin punën në burgun e Guantanamos. Në foto duket edhe David Hicks, një australian i zënë rob teksa luftonte për Talebanët. Ajo që i bën më të rralla këto fotografi është fakti se që prej 11 janarit 2002, ushtarët amerikanë nuk lejuan fotografët e mediave të ndryshme, si CNN dhe “Miami Herald”, që të realizonin foto.

Gjatë 8 viteve të presidencës së George W. Bush, rreth 780 persona u dërguan në Guantanamo. Por prej tyre, vetëm ndaj 18 personave është hapur çështje gjyqësore dhe vetëm 5 janë shpallur fajtorë. Sot, në burg qëndrojnë akoma 35 persona, 10 prej të cilëve po presin të nisë gjyqi.

Presidenti Barack Obama nuk u lejua ta mbyllte burgun e Guantanamos, por administratat pasuese kanë ulur gradualisht numrin e të burgosurve.

Rruga Press

You may also like