Jemi në maje të alfabetizmit sepse analfabetizmin e kemi në maje

by admin
Spread the love
Mersel Bilalli

Shekpsiri pati thënë se “nuk ka errësirë ​​më të madhe se mosdija”, por ja që sistemi ynë i çuditshëm ka bërë që njerëzit injorantë ta fitojnë diplomën pa dije, kurse përparësinë me shumë lehtësi.

Mersel BILALLI, Gostivar

Rezultatet që para do kohe u publikuan nga PISA tregojnë kontinuitetin e politikave të dështuara shumvjeçare, që burimin e ka në partizimin e skajshëm edhe të këtij domeni vital shoqëror. Disa njerëz s’marrin dot as përvojën e bletës se pa punë s’ka mjalt. Madje, jopunëtorët sistemi i tyre edhe i zhduk.

PISA është një nga testet ndërkombëtare më të famshme dhe më të besueshme që dekadave të fundit mat shkrim-leximin dhe njohuritë e aplikueshme që i nevojiten një nxënësi ose studenti për ta vazhduar karrierën e sukseshme personale dhe profesionale. Detyrat në testet e dhëna lidhen me situata reale, në të cilat pyeten se si mund të gjinden nxënësit dhe si mund të përgjigjet në lëmi të caktuara.

Shumë analiza e kanë vënë në pikëpyetje vendimin për të testuar 15-vjeçarët në mbarë botën, pavarësisht se në çfarë faze ishin ata në sistemin e tyre arsimor. Varësia në rritje nga testimi kompjuterik duket se ka qenë gjithashtu problematike, në radhë të parë për shkak të pabarazisë globale në aksesin në teknologjitë kompjuterike. Sistemet botërore arsimore ndryshojnë edhe për nga qasja metodologjike edhe nga dallimet objektive, siç janë udhëtime në terren, eksperimentet specifike, dallimet kulturore, përvoja etj. Madje, është konstatuar se edhe përkthimi i pyetjeve ka rezultuar i diskutueshëm. Për shembull, versioni gjerman i testit kishte pas rreth 15 për qind pyetje më të gjata në krahasim me versionet anglisht dhe frëngjisht të testit.

Krahasuar me rajonin, 15-vjeçarët nga vendi ishin përafërsisht në nivel të njëjtë ose të përafërt me bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa ishin shumë prapa nxënësve nga Sllovenia dhe Kroacia, të cilët udhëheqin qarkun sipas rezultateve të PISA-s. Madje, nxënësit nga Maqedonia e Veriut janë gjetur sërish në grupin e vendeve që tregojnë rezultatet më të këqija në lexim, në matematikë dhe në shkenca natyrore sipas testimit të fundit. Nga gjithsej 81 shtete, provinca dhe territore që u përfshin në testimin e vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut u rendit e 60-ta në matematikë, e 70-ta në lexim dhe e 67-ta në shkencë. Nxënësit shënuan mesatarisht 389 pikë në matematikë (mesatarja e OECD është 472), në lexim ata shënuan 389 pikë (mesatarja e OECD është 476) dhe në shkencë ata shënuan 380 pikë (mesatarja e OECD është 489 pikë).

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) njoftoi për publikun rezultatet për Maqedoninë e Veriut, duke i karakterizuar ato përafërsisht të njëjta si testimet e mëparshme. Andaj thonë se studimi i fundit i PISA-s i ka konfirmuar pasojat negative të pandemisë me COVID-19 në cilësinë e arsimit në shkallë globale.

Në nivel botëror, Singapori është në krye në të tre kategoritë, ndërsa Makao, Shangaji, Tajvani, Japonia, Kina dhe Koreja janë në ndër vendet në maje të ranguara. Ndërkaq, në fund janë nxënësit dhe studentët nga Kamboxhia, Paraguaji dhe Republika Domenikane. Shumë nga statistikat e OECD-së mbi statusin socio-ekonomik dhe gjininë rrjedhin nga PISA dhe janë të një rëndësie të madhe. Në të njëjtën kohë, PISA tenton të fokusohet në mesataret e dijeve dhe shumë më pak në barazinë (disponueshmëria e barabartë të mundësive), komponentë që zakonisht mbetet e reduktuar në çështje teknike. Kjo do të thotë se analizat e rezultateve të marra sipas përkatësisë nacionale ose ndarjes ndërmjet zonave urbane dhe rurale ose mundësive objektive të kufizuara, janë trajtuar shumë më pak se ç’duhet. Kjo e shpërfaq hendekun midis fokusit të rezultateve të PISA-s dhe debatit mbi barazinë arsimore, lëvizshmërinë dhe përfshirjen. Ose, më mirë, fokusimi në vendet me performancën më të mirë e largon vëmendjen edhe më tej nga këto çështje.

Edhe nëse do të kishte më shumë theks se si të përfundonim afër kryesimit të renditjes, midis vendeve me performancë të lartë, nuk është aspak një pyetje e thjeshtë. Për shembull, Australia u ngrit në shkallë të mirë nga një vend me rezultate relativisht të ulëta për vite më parë. Duket se ky rangim i testimeve në vitet e fundit është rezultat i ndryshimeve në përkufizimet që ndodhën shumë më heret në sistemin arsimor të këtij shteti, pra midis viteve 2000 dhe 2003.

Çfarë paraqet PISA?

PISA esencialisht është rezultat i konvergjencës së ideologjisë neoliberale mbi marrëdhëniet shoqërore, që ka për qëllim ngritjen e një lloji të ri të menaxhimit publik, si një ringjallje e teorisë së kapitalit njerëzor në kontekstin e “kapitalizmit kognitiv me shtrirje globale”, pra menaxhimit të shtetit sipas numrave dhe zhvillimit, të OECD-së (Organizatës për Kooperim dhe Zhvillim Ekonomik), si një “fuqi e butë” përgjegjëse, veçanërisht ndaj interesave të SHBA-së dhe shqetësimeve të saj për konkurrencën globale. Kështu, OECD-ja është bërë një lloj i veçantë “institucioni transnacional i bazuar në ekspertizë”, që prodhon njohuri, por merret edhe me përdorimin e këtyre njohurive për të formësuar politikat publike në shumë fusha.

Pra, PISA mbështetet në ndërtimin e një zinxhiri të supozuar të qetë të ekuivalencës midis të mësuarit, aftësive, vlerësimeve dhe rezultateve. Rrëshqitja midis “shoqërisë” dhe “ekonomisë”, në diskursin e PISA-s, nuk duhet të habisë askënd, duke qenë se OECD-ja e thekson se mision i saj janë “ndërtimi i politikave më të mira për një jetë më të mirë” dhe “përgatitje më të mirë të botës për të nesërmen”, të cilën ajo e sheh kryesisht si pjesëmarrje aktive në një ekonomi konkurruese globale të tregut të lirë. Edhe pse të gjithë mund të marrin pjesë, kuptohet se këtu do të ketë gjithmonë fitues dhe humbës, gjë që nxjerr në pah rëndësinë e ndarjes së vendeve në ato me rezultate mbimesatare dhe nënmesatare.

Maqedonia e Veriut vazhdon me rënie!

Në analizat e rezultateve të Programit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Studentëve (PISA) për vitim 2022, Maqedonia e Veriut shënon një rënie të dukshme në të gjitha tre lëndët kryesore të testimit: matematikë, lexim dhe shkencë. Sipas të dhënave, në matematikë Maqedonia e Veriut ka regjistruar një rezultat prej 60 pikëve, duke shënuar një rënie prej -6 pikëve, krahasuar me vitin 2018. Në lexim, vendi ndodhet në pozitën e 70-të me një rënie prej 34 pikëve, ndërsa në shkencë zë vendin e 67-të me një rënie prej -33 pikëve. Pra, rezultate në fundrinën e Europës.

Në Maqedoninë e Veriut, 27 për qind e studentëve (pra, një përqindje më e madhe) ishin në kuintilin e tretë ndërkombëtar të shkallës socio-ekonomike, që do të thotë se ata nuk ishin as ndër studentët më të pafavorizuar dhe as ndër studentët më të avantazhuar që iu nënshtruan testit PISA në vitin 2022. Pra, këtu nxënësit me avantazhe socio-ekonomike (25 për qind më të lartë sa i përket statusit socio-ekonomik), ua kaluan studentëve të pafavorizuar socioekonimik (25 për qind), pra me 76 pikë në matematikë. Kjo është më e vogël se diferenca mesatare midis dy grupeve (93 pikë) për vendet e OECD-së.

Edhe Kosova shënon një pozicion të ngjashëm, duke zënë vendin e 78-të, por me një rënie prej 11 pikë nga viti 2018. Për sferat specifike, ajo renditet në vendin e 76-të për lexim, në vendin e 77-të për shkencë dhe 74-të për matematikë. Duhet theksuar se Shqipëria tani ndodhet në një pozicion relativisht më të mirë, zënë vendin e 66-të për matematikë. Për lexim dhe shkencë, vendi ndodhet në të njëjtën pozicion, të rangut 71.

A ka një ilaç?

Ilaçi magjik për shërimin e sistemit arsimor kronikisht të sëmurë është i ashtuquajturi – “merit-sistem”, sipas të cilit që nga hapja e konkursit për nivele fillestare të administrates dhe shërbimeve publike, e gjer te personat e eshalonit të lartë profesional të pushtetit (pra nivelit jo-politik), zgjidhja ose emërimi i tyre bëhet në bazë të kritereve strikte ligjore, keqpërdorimi i të cilave paraqet vepër të dënueshme penale. Zakonisht, te shtetet me përvojë definohen kritere të rrepta ligjore për përzgjedhje dhe procedura të qarta e të shpejta ankimore administrative dhe gjyqësore, të cilat rrëzojnë çdo zgjedhje të paligjshme dhe njëherit me automatizëm zgjedhin ate meritorin.

Vetëm në këso kushtesh njerëzit do të çlirohen nga prangat partiake, që është kusht elementar për një shtet demokratik. Profesionistët shtetërorë paguhen nga të gjithë taksapaguesit, andaj konsiderohet shkelje e rëndë e dinjitetit, e barazisë njerëzore dhe e parimeve juridike, kur me paratë e gjithë qytetarëve përfitojnë pa kritere pjesëtarë të një partie politike.

E dyta, që po ashtu është tejet me peshë, është fakti se përmes sistemit të meritokracisë, prindërit, nxënësit dhe studentët do të vihen në garë për arsim sa më cilësor dhe kuantitativ, sepse të gjithë do të vetëdijsohen se pranimi dhe avancimi në karrierë varet vetëm nga kualiteti, përkushtimshmëria dhe përgjeqësia e tyre e jo nga pëkatësia partiake. Ata do ta futnin në kokë lehtë se mbjellja e të mësuarit është një çështje e hidhur, por frytet e tij janë tejet të ëmbla. Ata do të fitonin dhe praktikonin lirinë e bindjes, të cilën pa asnjë frikë do e predikonin në jetën dhe karrierën e tyre.

Është evidente se aty nuk ka rregulla efikase dhe kritere të qarta për punësime dhe emërime e shkarkime të drejtorëve, sekretarëve ose funksionarëve tjerë administrative – më të diskriminuarit janë ata që aspak s’i takojnë ndonjë partie politike, sepse atyre, në fakt, u vritet edhe shpresa.

Premtimi “një shoqëri për të gjithë” dështoi keq kur që në start u emërua drejtori i parë i një institucioni shtetëror me shumë peshë. Për dekada me radhë, një anëtar i partisë në pushtet fare lehtë merr një pozicion drejtues, pavarësisht nga kualiteti, suksesi dhe kushtet e konkursit. Stagnimi ynë, nga pozita e dytë në mesin e 16 shteteve të Europës Lindore pas rënies së komunizmit në të fundin ku jemi, është dëshmi se padituria është nënë e më të keqes për një popull. Ai popull do ta kërkojë të mirën jashtë shtetit të vet, duke dëshmuar se patriotizmi është azili i fundit i personave që keq kanë përfunduar në histori.

BE-ja, për vite, insiston në departizimin e institucioneve shtetërore, por gjithçka mbetet në premtime boshe. Klientelizmit do ishtë dashur t’i jepet fund së paku me miratimin e një “Ligji për Shërbime të Larta Udhëheqëse (të cilin BE-ja e pret vite me radhë), sipas të cilit drejtorët do të zgjidheshin në bazë të meritave profesionale dhe jo partiake. Por, ligji, për dekada, ka ngecur në një procedurë burokratike e partiake, ndaj edhe në mandatin e ardhshëm katërvjeçar institucionet nuk do të drejtohen nga më të aftët, por nga njerëz që e fituan “konkursin” në selinë e partive politike. Në gjyqësi, madje, u pat hequr edhe nota mesatare, me qëllim të përfshirjes së familajrëve të udhëheqësve të pushtetit!

Një person i këtyre anëve njëherë kishte thënë: “Kur 30 vite më parë e vizitoja BE-në, më vinte për të qarë. Tani më qahet madje kur e vizitoj Afrikën…”. /revistashenja

You may also like