Java e Modës në Paris, Dior kthen takat dhe korsenë në “fuqinë ironike të veshjes”

by admin
Spread the love

Gratë janë munduar për shekuj të tëra të çlirohen nga takat dhe korsetë.

Por koleksioni i fundit i Diorit në Javën e Modës në Paris i riktheu ato si “një lloj fuqie ironike e veshjes”.

Një feministe e bindur, Maria Grazia Chiuri, dizajnerja e shtëpisë së famshme të modës, tha se korsetë e objekte të tjera historike nga mbretëresha franceze e shekullit të 16-të, Caterina dei Medici, mbeten moderne dhe funksionale pavarësisht pamjes së tyre.

“Ideja që më argëtoi ishte se ka elementë në këto veshje që krijojnë imazhin e diçkaje mbretërore”, u shpreh Chiuri përpara prezantimit të krijimeve të saj për periudhën pranverë-verë 2023, që u bë në Jardin des Tuileries.

Me kërcimtarët që shiheshin në sfond, spektakli u përpoq të sillte atmosferën e  “feste barok”, duke reflektuar kështu se nga ishte marrë frymëzimi kryesor për këtë koleksion.

Duke qenë se vetë ishte shtatshkurtër, aristokratja italiane Caterina dei Medici ishte një pioniere e këpucëve me platform të lartë, pasi kështu dukej më e gjatë, ndërsa preferonte siluetat e  strukturuara për të krijuar një prani më imponuese kur mbërriti në oborrin mbretëror të Francës në vitet 1530.

Korsetë në koleksionin e ri të Dior nuk ishin të fshehura. Chiuri shpjegoi se ajo janë te dukshme, si “një objekt për të luajtur dhe për t’u argëtuar”.


Top Channel

You may also like