Ja disa mënyra si të mbroheni prej lajmeve të rreme

by admin
Spread the love

Lajmet e rreme nuk janë diçka e re. Por historitë e gënjeshtërta sot mund të mbërrijnë tek më shumë njerëz, dhe më shpejt, nëpërmjet mediave sociale.

Një pjesë e këtyre artikujve që bëhen viralë, nuk janë fare “lajme”, në kuptimin real që ka kjo fjalë. Janë trillime, satirë, si dhe përpjekje për të gënjyer lexuesit dhe për t’i bërë ata të mendojnë që janë të vërteta.

Ja disa strategji që të mbroheni prej lajmeve të rreme.

A e njihni mirë burimin?

A është i ligjshëm?

A ka qenë i besueshëm në të kaluarën?

Nëse jo, është më mirë të mos i besoni.

Nëse një titull provokues ju ka tërhequr vëmendjen, lexo edhe pak më shumë, përpara se të vendosësh ta përcjellësh informacionin “tronditës” tek të tjerët.

Edhe në ato lajme që janë legjitime, titulli nuk rrëfen përherë gjithçka që ka ndodhur.

Por lajmet e rreme, sidomos përpjekjet për të bërë satirë, mund të lënë shumë shenjë dalluese nëpër tekstin e artikullit.

Një tjetër shenjë dalluese e një lajmi të rremë e gjen në nëntitull, nëse e ka një të tillë.

Dhe në disa raste, autorët e artikullit as që nuk ekzistojnë. Ka ndodhur një herë, që një lajm i rremë iu atribua një doktori i cili kishte fituar nja pesëmbëdhjetë tituj si Pulitzer. Gjë që do të kish qenë shumë mbresëlënëse, nëse do të kish qenë tërësisht e sajuar.

Shpesh herë, ndodh që këto lajme të rreme të citojnë burime zyrtare, ose të paktën që tingëllojnë të tilla. Por pasi shikon pak më thellë, burimi i cituar as nuk e mbështet atë që thuhet në artikull.

Disa lajme nuk janë tërësisht të rreme, por thjesht shtrembërime të ngjarjeve reale. Ato mund të marrin një lajm të saktë dhe ndryshojnë atë që thuhet, apo të pretendojnë se diçka që ka ndodhur shumë kohë më parë, ka lidhje me ngjarjet aktuale.

Për shembull, një faqe e rreme lajmesh, merr një lajm të para një viti nga një agjenci serioze, i ndryshon titullin dhe datën dhe e boton sikur është aktuale. Këtu, përveç mashtrimit kemi dhe shkelje të të drejtës së autorit.

Ndërkohë që satira është diçka normale, ajo zakonisht etiketohet si e tillë e ndonjëherë është dhe argëtuese. Por nuk mund të jetë lajm.

Dhe pastaj është forma më e debatueshme e satirës, e cila synon t’ia hedhë lexuesit. Këto janë postime të krijuara për të nxitur klikime, si dhe për t’i sjellë para atyre që i krijojnë, përmes reklamave. Por ato nuk janë lajme.

Sigurisht që nuk është aspak e lehtë të dallosh lajmet e rreme. Paragjykimi i konfirmimit, i shtyn lexuesit që të kërkojnë informacione që konfirmojnë gjërat që ata besojnë tashmë dhe të injorojnë të tjerat.

Por herën tjetër që ju ndodh të tronditeni prej një postimi në mediat sociale, që ka lidhje, fjala vjen me një politikan që nuk e doni, merrni një moment për ta verifikuar.

Provoni këtë test të thjeshtë: Çfarë lajmesh të tjera janë botuar në faqen e internetit që është burim i këtij lajmi, i cili u shfaq papritur në dritaren e medias tuaj sociale?

Mund të jeni të prirur të besoni një lajm për një politikan që nuk e pëlqeni hiç fare, por nëse në faqen në fjalë lexoni dhe një lajm, fjala vjen, për alienë që shumë shpejt do të pushtojnë tokën, ndoshta duhet të mendoheni dy herë përpara se ta ndani.

Natyrisht që nuk kemi gjithë kohën e botës në dispozicion, dhe duhet kohë për të zbërthyer disa prej këtyre lajmeve të rreme. Por mos harroni: Vetë lexuesit janë vija e parë e mbrojtjes kundër lajmeve të rreme. / TruthHub – Bota.al

You may also like