Izraeli bombardon jugun e Gazës/ Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton sot për armëpushim të menjëhershëm

by admin
Spread the love

Izraeli vazhdoi bombardimet në Rripin e Gazës edhe këtë të martë, si pjesë e “fushatës për të shkatërruar Hamasin, e shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.

Liderët për çështje humanitare frikësohen se Gaza mund të kthehet shpejt në zonë të sëmundjeve dhe urisë së madhe, ndaj janë duke shtuar presionin diplomatik ndaj Izraelit që të bëjë më shumë përpjekje për t’i mbrojtur civilët.

Hamasi thotë se përleshjet kanë ndodhur në qendër të Gazës, ndërsa dëshmitarët raportojnë për sulme vdekjeprurëse izraelite në jug të territorit.

Sulmet ajrore izraelite kanë lënë të vdekur të paktën 12 persona në qytetin jugor Rafah, afër kufirit me Egjiptin, ku dhjetëra mijëra njerëz tentojnë të strehohen, ka raportuar agjencia palestineze e lajmeve Wafa.

Një ditë më parë, u godit qyteti kryesor jugor Han Junis, i cili është kthyer në epiqendër të luftimeve. “Hamasi është në prag të shpërbërjes, ushtria është duke marrë kontrollin e bastioneve të fundit”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, të hënën.

Luftimet dhe bombardimet e ashpra në jug, ku Izraeli u ka kërkuar paraprakisht civilëve që të strehohen, i ka lënë njerëzit me pak mundësi se ku të shkojnë.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ku shpreh se civilët në Gaza po përballen me situatë katastrofike, dhe e krahasoi shkatërrimin e territorit, me atë të Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Organizatat ndërkombëtare për ndihmë përballen me shumë pengesa për të dërguar ndihmë te banorët e Gazës, pasi vetëm pika kufitare Rafah është e hapur për qarkullim.

Ndërkohë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë sot për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, disa ditë pasi SHBA vuri veton ndaj një rezolute të ngjashme të propozuar në Këshillin e Sigurimit. Drafti aktual i propozuar u paraqit nga një grup prej 20 vendeve arabe dhe Organizata për Bashkëpunim Islamik.


Top Channel

You may also like