IZRAEL – Netanyahu nxit miratimin e shpejtë nga qeveria të sulmit në Rafah

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 25 shkurt /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dëshiron të nisë me shpejtësi planet për një ofensivë ushtarake të diskutueshme në qytetin bregdetar jugor të Rafahut, pavarësisht negociatave të vazhdueshme për një armëpushim në luftën e Gazës.

”Do të mbledh kabinetin, ndoshta sot, për të autorizuar planin operacional”, njoftoi ai dje në mbrëmje në X.

Plani do të përfshijë gjithashtu largimin me forcë të popullsisë civile të prekur.

Një avancim i ushtrisë izraelite në Rafah, qyteti më jugor në Rripin e Gazës, konsiderohet shumë problematik sepse rreth 1,5 milionë palestinezë tani jetojnë atje.

Shumica e tyre janë larguar nga lufta nga pjesë të tjera të zonës së mbyllur bregdetare.

Ata jetojnë në kushte të mjerueshme në Rafah, kryesisht në tenda ose në rrugë.

Evakuimi i tyre duket vështirë i realizueshëm sepse pjesët e tjera të Rripit të Gazës tani janë shkatërruar ose nuk kanë infrastrukturën e nevojshme për të akomoduar kaq shumë njerëz.

Ofensiva e planifikuar ushtarake në Rafah është kritikuar ashpër ndërkombëtarisht – madje edhe aleatët si SHBA-të po i bëjnë thirrje Izraelit të ushtrojë përmbajtje.

Në fjalën e tij, Netanyahu trajtoi gjithashtu negociatat në vazhdim për një armëpushim të përkohshëm në luftën kundër grupit militant palestinez Hamas dhe lirimin e pengjeve.

Ai shkroi se kabineti dëshironte të diskutonte hapat e ardhshëm në procesin e negociatave.

Rreth 130 pengje mbahen ende nga Hamasi, i cili së bashku me grupet e tjera ekstremiste sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë 1 200 persona dhe, sipas qeverisë izraelite, duke rrëmbyer rreth 240 dhe duke i futur në Rripin e Gazës.

“Vetëm një kombinim i presionit ushtarak dhe negociatave të forta do të çojë në lirimin e pengjeve tona, eliminimin e Hamasit dhe arritjen e të gjitha objektivave të luftës”, theksoi Netanyahu./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like