ITALI – Qeveria rrit masat për të frenuar rritjen e çmimeve të naftës

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

ROMË, 11 janar /ATSH-DPA/- Qeveria italiane ka planifikuar të ushtrojë më shumë kontroll ndaj operatorëve të karburanteve në vend, në një përpjekje për të ndaluar rritjen spirale të çmimeve të karburantit.

“Pas një rritje pothuajse 10% në koston e një litri karburanti në javën e parë të janarit në krahasim me javën e kaluar, operatorët do të duhet të raportojnë çmimet e tyre në baza ditore. Ky është një vendim i rënë dakord nga Këshilli i Ministrave”, sipas një njoftimi të qeverisë.

Në bazë të të dhënave ditore, Ministria e Sipërmarrjeve do të llogarisë një çmim mesatar që operatorët do të duhet t’i shfaqin drejtuesve të mjeteve, së bashku me çmimin e tyre aktual.

Qeveria subvencionoi çdo litër karburant deri në fund të vitit 2022, prandaj çmimet mbetën relativisht konstante për një kohë të gjatë. Kjo tashmë ka përfunduar dhe qeveria nuk do të rinovojë masën e paraqitur nga ish-kryeministri, Mario Draghi.

Në javën nga 1 deri në 8 janar, çmimi mesatar kombëtar i benzinës ishte 1,81 € (1,07 dollarë), sipas të dhënave të qeverisë, duke shënuar një rritje prej gati 17 cent në krahasim me javën e kaluar.

“Operatorët që shkelin në mënyrë të përsëritur detyrimin për shfaqjen e çmimeve do të përballen me një ndërprerje të biznesit nga 7 deri në 90 ditë”, thuhet në urdhrin e qeverisë.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like