ITALI – Parlamenti kundërshton reformën e Fondit të Stabilitetit të eurozonës

by admin
Spread the love

ROMË, 22 dhjetor /ATSH-DPA/ – Dhoma e Ulët e parlamentit italian apo Dhoma e Deputetëve, hodhi poshtë me një shumicë të madhe planet për të reformuar Mekanizmin Evropian të Stabilitetit (ESM).

Partitë e krahut të djathtë që mbështesin qeverinë e kundërshtuan masën, me 184 vota kundër 72 pro dhe 44 abstenime.

Ministrat e Financave nga 20 vendet e eurozonës kanë rënë dakord për nevojën për të reformuar mekanizmin, i cili u krijua në 2012 për të siguruar stabilitetin financiar në eurozonë.

Ndërsa u arrit marrëveshja për reformimin e traktatit ESM në vitin 2020, parlamentet kombëtare duhet të miratojnë ndryshimet.

Kjo është bërë në të gjitha vendet e tjera anëtare të eurozonës, por Italia vazhdon të bllokojë reformat.

Reformat synojnë të lehtësojnë kreditë për vendet e eurozonës që përballen me krizë ekonomike ose financiare dhe të ofrojnë risigurim për mbylljen e bankave të dështuara.

Vetë fondi i shpëtimit mbetet në fuqi pavarësisht kundërshtimit italian, por vetoja të enjten vazhdon të bllokojë fondet, në rast se fondi kryesor i krizës shteron.

Udhëheqësi i Eurogrupit, Paschal Donohoe shprehu zhgënjimin e tij për votimin e parlamentit italian të enjten, duke thënë se një moment historik i madh drejt një bashkimi bankar brenda eurozonës mbetet i munguar.

Ai tha se do të vazhdojë të lobojë te autoritetet italiane në muajt e ardhshëm.

Si ”Fratelli d’Italia” (”Vëllezërit e Italisë”) e kryeministres italiane, Giorgia Meloni dhe partia Lega e zëvendëskryeministrit Matteo Salvini kundërshtuan në mënyrë aktive masën

Një parti e tretë e krahut të djathtë në koalicion, ”Forza Italia” (”Përpara Itali”), abstenoi nga votimi./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like