ITALI – Meloni betohet si kryeministrja e parë e vendit

by admin
Spread the love

ROMË, 22 tetor /ATSH-ANSA-AFP/ – Politikania italiane e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni është betuar si kryeministre e re e Italisë duke u shndërruar në gruan e parë në historinë e vendit që mban këtë post.

Meloni dhe ministrat e saj, të cilët kanë formuar qeverinë më të djathtë dhe më euroskeptike të Italisë që nga viti 1946, u betuan në pallatin presidencial, Quirinale, në Romë.

Ceremonia nën arin e këtij pallati me pamje nga Roma, rezidencë e papëve dhe mbretërve të Italisë përpara se të bëhej selia e Presidencës së Republikës, u zhvillua në prani të kreut të shtetit, presidentit Sergio Mattarella.

Meloni, e veshur me një kostum të zi, ishte e para që bëri betimin, e ndjekur nga dy zëvendëskryeministrat e saj nga dy partitë partnere në koalicionin e saj, Matteo Salvini dhe Antonio Tajani.

Të gjithë ndoqën njëri-tjetrin përpara përpara presidentit Mattarella për të shqiptuar, në këmbë, betimin tradicional që thotë “Betohem t’i jem besnik Republikës, të respektoj me besnikëri Kushtetutën dhe ligjet dhe të ushtroj funksionet e mia në interesin ekskluziv të kombit”.

Nga 24 ministra, vetëm gjashtë janë gra, të kufizuara në portofolë të vegjël.

Dorëzimi i pushtetit mes Mario Draghit dhe Giorgia Melonit do të bëhet nesër në orën 08:30 GMT në pallatin ”Chigi”, selia e qeverisë pranë parlamentit dhe do të pasohet nga Këshilli i parë i Ministrave.

Ky hap në thelb ceremonial do të shënohet me dorëzimin simbolik nga Draghi zonjës Meloni të zilës së përdorur nga kryeministri për rregullimin e debateve në Këshillin e Ministrave.

“Urime Giorgia Meloni si kryeministrja e parë e Italisë. Le të punojmë së bashku për të mirën e Italisë dhe BE-së. Ju pres në Këshillin Evropian për të punuar së bashku për të mirën e Bashkimit Evropian”, tha në Twitter presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like