TEL AVIV – Netanyahu: Izraeli do të ‘qëndrojë i vetëm’ në luftën e Gazës nëse do të duhet

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 10 maj /ATSH-DPA/- Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të mbrohet “i vetëm”, nëse është e nevojshme, pasi Uashingtoni kërcënoi se do të ndalojë dërgesat e armëve të tjera nëse trupat izraelite vazhdojnë të avancojnë në shkallë të gjerë në qytetin jugor të Rripit të Gazës, Rafah.

“Nëse duhet të qëndrojmë vetëm, do të qëndrojmë vetëm”, tha Netanyahu në deklaratën e tij të parë publike pasi Shtëpia e Bardhë tha se do të kufizonte furnizimet me armë në rastin e një sulmi më të gjerë në Rafah.

Operacionet izraelite në Rafah deri më tani janë të kufizuara kryesisht në lindje të qytetit, ku u lëshua një urdhër evakuimi në fillim të javës.

SHBA-ja është mbështetësi kryesor i Izraelit, por presidenti Joe Biden kërcënoi se do të kufizojë më tej furnizimet nëse Netanyahu vazhdon me një ofensivë të madhe.

Izraeli tha se operacioni në Rafah ka për qëllim eliminimin e organizatës ekstremiste palestineze Hamas.

Një pushtim i tillë tokësor do të shënjestronte zonën e dendur me banorë, në të cilën rreth 1,5 milionë nga afro 2,2 milionë banorët e Gazës kanë kërkuar strehim nga bombardimet izraelite diku tjetër në Gaza.

Zëdhënësi ushtarak Daniel Hagari tha se Izraeli ka mjaftueshëm armë dhe municione.

Ndërkohë, ushtria amerikane tha se ndërtimi disajavor i një porti të përkohshëm për dërgimin e ndihmave të nevojshme në Gaza është pothuajse i përfunduar.

Më parë, një anije mallrash amerikane që transportonte qindra tonë ndihma për popullsinë civile në Gazë u largua nga porti qipriot i Larnakas.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like