Ish-prokurori në hetimin e Nju Jorkut për Trumpin arrin të sigurojë shtyrje të paraqitjes në Kongres

by admin
Spread the love

Mark Pomerantz, ish-prokurori që dikur drejtoi hetimin penal të prokurorit të qarkut të Manhatanit ndaj ish-Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, arriti të sigurojë sot një shtyrje në kohë të dëshmisë së tij përpara një komisioni të Kongresit të udhëhequr nga republikanët.

Gjyqtarja e qarkut, Mary Kay Vyskocil hodhi poshtë të mërkurën kërkesën e Prokurorit të Manhatanit Alvin Bragg, për të bllokuar fletëthirrjen drejtuar zotit Pomerantz, nga kryetari i komisionin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve Jim Jordan.

Prokurori Bragg dhe zoti Pomerantz e apeluan vendimin e zonjës Vyskocil. Gjykata e Apelit vendosi të enjten për një shtyrje të përkohshme për paraqitjen e zotit Pomerantz, për t’i dhënë mundësi një komisioni prej tre gjyqtarësh, të shqyrtojë çështjen. Depozitimi me dyer të mbyllura i zoti Pomerantz përpara komisionit Gjyqësor ishte planifikuar për në orën 10:00 me orën lokale të Uashingtonit.

Gjykata e Apelit i dha zotit Jordan një afat kohor deri të premten pasdite për t’u përgjigjur, ndërsa zotit Bragg dhe zotit Pomerantz deri të shtunën pasdite.

Prokurori Bragg, një demokrat, që ka ngritur akuza penale ndaj ish-Presidentit Trump, ka argumentuar se fletëthirrja e zotit Jordan drejtuar zotit Pomerantz, ishte pjesë e një përpjekjeje për të ndërhyrë në një hetim penal dhe për të “frikësuar” zyrën e prokurorit të qarkut, në shenjë hakmarrjeje ndaj akuzave të ngritura ndaj zotit Trump.

Donald Trump, kandidati kryesor i republikanëve në fushatën presidenciale për vitin 2024, u deklarua i pafajshëm më 4 prill ndaj 34 akuzave penale. Akuzat lidhen me një pagesë bërë para zgjedhjeve të vitit 2016, për të garantuar heshtjen e yllit të filmave pornografik Stormy Daniels, mbi pretendimet e saj për një marrëdhënie seksuale me zotin Trump. Zoti Trump e mohon të ketë patur një marrëdhënie të tillë me zonjën Daniels.

Ligjvënësi Jordan është kundërpërgjigjur se komisioni ka nevojë për dëshminë e zotit Pomerantz për të peshuar mundësinë e miratimit të një ligji që kufizon ato që ai e quajti “hetime të motivuara politikisht” ndaj presidentëve.

Zëdhënësit e Komisionit Gjyqësor nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment të enjten./ VOA


Top Channel

You may also like