Ish-drejtori i organizatës Human Rights Watch, Roth: Izraeli ka të drejtë të përgjigjet, por jo të bëjë çfarë të dojë

by admin
Spread the love

Si Hamasi, ashtu edhe Izraeli janë duke kryer krime lufte në konfliktin aktual, thotë për Radion Evropa e Lirë Kenneth Roth, ish-drejtor ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch.

Sipas tij, të dyja palët po luftojnë pa respektuar siç duhet parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Roth thotë se Izraeli ka të drejtë t’iu përgjigjet “mizorive të tmerrshme” të Hamasit, por se kjo “nuk ia jep lirinë të bëjë çfarë të dojë”.

Ai kritikon rrethimin e Gazës dhe moslejimin e ndihmave humanitare për njerëzit në nevojë, ndërsa i dënon sulmet e të dyja palëve në zonat civile.

“Detyra për ta respektuar ligjin ndërkombëtar humanitar, për të mos kryer krime lufte, është detyrë absolute”, thotë Roth, i cili ka shërbyer gati tri dekada në njërën prej organizatave kryesore ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në botë.

Radio Evropa e Lirë: Ka raporte për më shumë se 500 njerëz të vrarë nga një sulm në një spital në Gazë. Komenti juaj i parë?

Kenneth Roth: Në fillim u besua se ishte sulm ajror i Izraelit. Izraelitët tani e mohojnë këtë dhe thonë se ishte raketë palestineze. Nuk e dimë ende me siguri se kush është përgjegjës. Nëse ishte raketë palestineze, qartazi ishte gabim. Nëse ishte sulm ajror i Izraelit, unë vërtet shpresoj se nuk e kishte në shënjestër spitalin.

Por, ajo që mund të themi në këtë fazë, është se bëhet fjalë për humbje tragjike të jetëve dhe duhet hetuar se kush ishte përgjegjës.

Radio Evropa e Lirë: Edhe Hamasi, edhe Izraeli akuzohen për akte të paligjshme në konfliktin aktual. Si i shihni ju sjelljet e tyre deri më tani?

Kenneth Roth: Qartazi, të dyja palët po kryejnë krime lufte. Hamasi ka kryer mizori të tmerrshme, duke vrarë qindra civilë izraelitë dhe duke marrë pengje afro 200 izraelitë. Këto janë krime lufte, ashtu si edhe sulmet e tij periodike me raketa në zonat e banuara me civilë izraelitë.

Qeveria izraelite ka kryer gjithashtu krime lufte, duke qëlluar pa dallim në lagjet palestineze, duke goditur vërtet lagje të tëra në përpjekjet e saj për të ndjekur objektivat e Hamasit. Por, duke qëlluar më gjerësisht, ka sulmuar edhe ndërtesa të mëdha banimi dhe qindra familje kanë humbur shtëpitë e tyre.

Izraeli, po ashtu, e ka vendosur [Gazën] nën rrethim, duke ia bllokuar ushqimin, ujin, karburantet dhe energjinë elektrike. Kjo është një formë e ndëshkimit kolektiv të të gjithë popullatës palestineze të Gazës.

Pra, qartazi, ka krime lufte nga të dyja palët. Është e rëndësishme të theksohet se ligji ndërkombëtar humanitar nuk e shfajëson njërën palë, vetëm se pala tjetër nuk e respekton atë. Detyra për ta respektuar ligjin ndërkombëtar humanitar, për të mos kryer krime lufte, është një detyrë absolute, që nuk kushtëzohet nga sjellja reciproke e kundërshtarit.

Radio Evropa e Lirë: Pra, cilat janë ato parimet themelore që të dyja palët pritet t’i ndjekin sipas ligjit ndërkombëtar?

Kenneth Roth: Ato gjenden në protokollet e Konventës së Gjenevës dhe të ligjit ndërkombëtar. Esenca është se, gjatë luftës, ju mund të hapni zjarr kundër luftëtarëve në anën tjetër, por nuk mund t’i shënjestroni civilët, ju nuk mund të qëlloni pa dallim në zonat civile dhe, madje, nuk mund të shënjestroni as edhe një objektiv ushtarak, nëse ndikimi mbi civilët do të jetë joproporcional. Po ashtu, nuk mund ta bllokoni dërgimin e ndihmave humanitare për njerëzit në nevojë.

Pra, këto janë rregullat themelore. Ato janë të përpunuara në shumë detaje, por ky është thelbi i tyre. Dhe, fatkeqësisht, të dyja palët po i injorojnë këto rregulla.

Radio Evropa e Lirë: A mund të mbahen përgjegjëse palët?

Kenneth Roth: Po. Në parim, secila palë supozohet t’i mbajë përgjegjës kriminelët e saj të luftës. Është e qartë se Hamasi nuk do ta bëjë këtë. Edhe ushtria izraelite ka një histori të tmerrshme në këtë aspekt. Pra, kjo është një situatë, ku vërtet duhet Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP).

GJNP-ja ka juridiksion mbi çdo krim të kryer nga një palestinez, ose i kryer në territorin palestinez. Kjo, sepse Palestina është njohur si anëtare e Asamblesë së Përgjithshme [të OKB-së], duke pasur të drejtë ta nënshkruajë Statutin e Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale – gjë të cilën e ka bërë. Pra, GJNP-ja ka juridiksion atje.

Radio Evropa e Lirë: Më lejoni t’ju pyes, a ka rregulla specifike për t’u aplikuar sa u përket nevojave humanitare dhe shëndetësore?

Kenneth Roth: Rregulli kryesor është se palët ndërluftuese nuk mund ta bllokojnë ndihmën humanitare për njerëzit në nevojë. Kombet e Bashkuara kanë shumë ndihma humanitare në afërsi, të gatshme për t’u transferuar nga Egjipti, përmes pikës kufitare Rafah, për në Gazë. Por, kjo nuk është duke u lejuar.

Duket se Izraeli dhe Egjipti janë duke e bllokuar. Nuk është plotësisht e qartë se çfarë po ndodh. Por, asnjë ndihmë nuk ka hyrë [në Gazë]. Izraeli është, padyshim, shkelësi kryesor këtu. Egjipti ka qenë partner në mbajtjen e bllokadës së Gazës në 16 vjetët e fundit. Pra, çështja nuk është nëse ka ndihma në afërsi. Ndihma ka. Çështja është nëse ato ndihma mund të hyjnë për njerëzit në nevojë në Gazë.

Radio Evropa e Lirë: E sulmet në zonat civile?

Kenneth Roth: Edhe nëse supozojmë se lejohet hyrja e ndihmave humanitare, pyetja – siç po sugjeroni edhe ju – është se si mund të shpërndahen në mënyrë të sigurt kur ka bombardime. Ky është problemi.

Edhe pse Qeveria izraelite ka urdhëruar 1.1 milion civilë palestinezë të evakuohen nga veriu i Gazës dhe të shkojnë në jug, ka pasur raste të shumta kur njerëzit – ose duke shkuar në jug të Gazës, ose të vendosur diku atje – janë bombarduar dhe vrarë.

Unë mendoj se një dimension i rëndësishëm i kësaj është se ushtria izraelite duhet të ofrojë garanci që ndihma humanitare mund të shpërndahet në mënyrë të sigurt për popullatën civile.

Shumë njerëz i shohin sulmet e tmerrshme të Hamasit dhe thonë se Izraeli ka të drejtë të përgjigjet. Kjo është e vërtetë. Por, e drejta për t’u përgjigjur ushtarakisht nuk ju jep lirinë për të bërë çfarë të doni.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, çfarë autoriteti kanë vendet e tjera për të ndërhyrë?

Kenneth Roth: Në këtë pikë, unë nuk shoh ndonjë qeveri tjetër duke dalë vullnetare për të ndërhyrë në konflikt – me përjashtim ndoshta të Qeverisë amerikane që e kërcënon Hezbollahun në Libanin jugor, nëse Hezbollahu fillon ta qëllojë Izraelin. Por, çështja nëse një qeveri lejohet të hyjë në një luftë, është vërtet gjykim politik.

Arsyeja përse shohim kaq shumë vdekje civile, është se të dyja palët po luftojnë pa respektuar siç duhet parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare.


Top Channel

You may also like