Irani, jo i zemëruar me evropianët! – Shqip

by admin
Spread the love

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se Irani “nuk është i zemëruar me evropianët” dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me vendet që “nuk ndjekin verbërisht” Shtetet e Bashkuara.

 

Në një fjalim të mbajtur në qytetin e Mashhadit në ditën e parë të vitit të ri sipas kalendarit persian, Khamenei kritikoi Shtetet e Bashkuara, duke e akuzuar atë për nxitjen e lëvizjes protestuese që tronditi Iranin pas vdekjes së Mahsa Amini në shtator të vitit të kaluar.

“Perëndimorët i bënë presion Iranit që të izolohej, por ndodhi e kundërta. Marrëdhëniet tona me Perëndimin janë dobësuar, por marrëdhëniet tona me Azinë janë forcuar 100 për qind” dhe “vendosja e marrëdhënieve të forta me Amerikën Latine dhe Afrikën është gjithashtu në axhendën tonë”, tha ai para disa mijëra njerëzve në faltoren e Imam Rizait.

“Megjithatë, ne nuk jemi të zemëruar me evropianët dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjitha vendet evropiane që nuk ndjekin verbërisht politikat amerikane”, shtoi ai.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kritikuar muajt e fundit shtypjen e protestave në Iran që filluan pas vdekjes së Mahsa Amini më 16 shtator.

Protestat vdekjeprurëse

Sipas autoriteteve, qindra njerëz, duke përfshirë anëtarë të forcave të sigurisë, vdiqën në ato protesta, të cilat janë ulur javët e fundit.

Ashtu si në janar, Khamenei theksoi se autoritetet arritën të “mposhtin komplotin” që shkaktoi “trazirat” në të cilat morën pjesë “një numër i vogël iranianësh”.

“Armiqtë” e Iranit duan “ndryshimin e regjimit” dhe futjen e një “demokracie të rreme të stilit perëndimor” në mënyrë që të “kontrollojnë vendin” dhe “të grabisin burimet e tij”, tha ai.

Khamenei gjithashtu theksoi se Irani nuk po ndërhyn në konfliktin në Ukrainë.

Disa vende e akuzojnë Teheranin për mbështetjen e Rusisë, kryesisht duke e furnizuar atë me dronë.

“Ne nuk po marrim pjesë në asnjë mënyrë” në atë luftë që “filloi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, nga të cilat “fabrikat e armëve përfitojnë më shumë”, tha ai. /tesheshi.com/

You may also like