Irakianët protestojnë pas djegies së dyshuar të Kuranit në Danimarkë

by admin
Spread the love

Forcat irakiane të sigurisë të shtunën kanë shpërndarë rreth 1.000 mbështetës të klerikut mysliman shiit, Moqtada Sadr, të cilët janë përpjekur të marshojnë drejt Zonës së Gjelbër të Bagdadit, ku ndodhen ambasadat e huaja, duke besuar se një Kuran është përdhosur në Danimarkë.

Protestuesit kanë reaguar pas raportimeve për një përdhosje të librit të shenjtë të Islamit.

Në faqen e tij në Facebook, grupi i ekstremit të djathtë, Danske Patrioter, publikoi të premten një video ku një burrë shihej duke djegur atë që dukej të ishte kopje e Kuranit, dhe duke shkelur mbi një flamur të Irakut.

Zëvendëshefja e policisë së Kopenhagës, Trine Fisker, ka thënë për AFP-në se “jo më shumë se dhjetëra” protestues ishin mbledhur të premten para ambasadës irakiane.

“Unë, po ashtu, mund të konfirmoj se një libër është djegur. Ne nuk e dimë se cili libër ka qenë”, ka thënë ajo. “[Protesta] ishte mjaft paqësore”, është shprehur Fisker.

Në qendër të Bagdadit, protestuesit janë mbledhur në errësirën para agimit, në sheshin Tahrir.

“Po, po Kuranit”, kanë bërtitur protestuesit, shumica prej të cilëve ishin burra të rinj.

Disa mbanin në duar fotografi të Sadrit, i cili mbështetet nga miliona njerëz në mesin e popullatës shumicë shiite në vend, dhe i cili ushtron ndikim të madh mbi politikën kombëtare.

Forcat e sigurisë ndërprenë qarkullimin në dy ura që çojnë drejt Zonës së Gjelbër me siguri të lartë, ku ndodhen institucionet qeveritare dhe ambasadat e huaja.

Demonstruesit u përpoqën të futen me forcë, para se oficerët t’i shtynin ata prapa, ndërsa disa orë më vonë protestuesit u shpërndanë, pas shpërthimit të përleshjeve, ka thënë një zyrtar i ministrisë së Brendshme për AFP-në, duke folur në kushte anonimiteti, për shkak se nuk lejohej të informonte mediat.

Protestuesit janë munduar të arrijnë deri te ambasada e Danimarkës, ka njoftuar zyrtari.

Në mëngjesin e së shtunës, ministria e Jashtme e Irakut ka dënuar “përdhosjen e Kuranit të shenjtë dhe të flamurit irakian para ambasadës së Irakut në Danimarkë”.

Në komunikatën e ministrisë thuhet se “këto veprime nxisin reagime dhe i vënë të gjitha palët në situata delikate”.

Në një komunikatë tjetër thuhet se “ne nuk mund ta lejojmë të ndodhë përsëri” atë që ka ndodhur në ambasadën në Suedi.

Qindra mbështetës të Sadrit morën pjesë në djegien e ambasadës së Suedisë në Bagdad, në orët e hershme të së enjtes, për shkak të djegies së planifikuar të librit të shenjtë të myslimanëve, në Suedi, disa javë pasi protestuesi i njëjtë atje dogji faqe të Kuranit.

Veprimet e refugjatit irakian me banim në Suedi, Salwan Momika, nxitën reagime nëpër botën myslimane.

Iraku ka dënuar edhe sulmin ndaj ambasadës së Suedisë, por ka dëbuar ambasadorin e Stokholmit.

Ministri i jashtëm suedez, Tobias Billstrom, ka quajtur protestën e Momikës “provokim të qartë”, i cili “një asnjë mënyrë nuk përfaqëson mendimet e qeverisë suedeze”, teksa ka theksuar “të drejtën kushtetuese për liri të grumbullimit, liri të shprehjes dhe liri të demonstrimit”./ REL


Top Channel

You may also like