Inzaghi paralajmëron ndryshime në formacion: Ndaj Genoas nuk jemi të gjithë

by admin
Spread the love

Interi do të kërkojë fitoren e radhës në kampionat, që do ta afronte edhe më shumë me titullin kampion, teksa mbrëmjen e të hënës në “San Siro” do të zbarkojë Genoa, skuadra e fundit që ka ndalur zikaltrit, pikërisht në ndeshjen e fundit të vitit 2023.

Që atëherë skuadra e Simone Inzaghit numëron 11 fitore në po kaq ndeshje në të gjithë kompeticionet, teksa trajneri bën apel për përqendrim maksimal ndaj ligurëve.

“Genoa është një skuadër në formë mjaft të mirë dhe javët e fundit ka humbur vetëm një ndeshje ndaj Atalantës në shtesë. Janë ekip që mbulojnë mirë fushën dhe ndaj tyre vuajtëm edhe në ndeshjen e parë, ndaj duhet të bëjmë kujdes për të marrë maksimumin”, u shpreh trajneri.

Për sfidën e të hënës, Interi ka rikuperuar sulmuesin Thuram, mesfushorin Frattesi dhe mbrojtësin Accerbi, me Calhanoglu që do të jetë i vetmi që do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna, ndërsa Inzaghi paralajmëron të tjera ndryshime në formacion.

“Nuk do të jemi të gjithë ndaj Genoas, megjithatë do të bëjmë disa ndryshime në formacion, në mënyrë që ata që kanë luajtur më shumë, të mos ngarkohen. Jemi në tre muajt vendimtarë të sezonit dhe duhet të alternohemi sa më shumë. Për fat të mirë kam një grup fantastik dhe kushdo që luan, e di mirë se çfarë duhet të bëjë në fushën e lojës”, u shpreh trajneri zikaltër.

You may also like