Investcorp ka rival, gjiganti amerikan tenton të blejë Milanin për 1 miliard €

by admin
Spread the love

RedBird Capital Partners tenton të blejë Milanin nga fondi Elliot. Ky është lajmi i fundit që vjen nga Sky News dhe bëhet fjalë për një ofertë që kap shifrën e 1 miliard eurove.

RedBird Capital Partners, që ka një pjesë të vogël të aksioneve Fenway Sports Group që zotëron Liverpool, ka bërë hapin e parë, duke kontaktuar pronarët amerikanë të kuqezinjve.

Kështu tashmë ka një rivalitet për Milanin, pasi fondi i investimit nga Bahreini, Investcorp, e ka bërë një ofertë për ta blerë klubin që kryeson Serie A për momentin.

RedBird Capital Partners janë prej kohësh pjesë e botës së sportit. Ata kanë në pronësi klubin e Toulouse në Francë, ndërkohë që vjet kanë blerë për 750 milionë euro pak më shumë se 10% të aksioneve Fenway Sports Group, që ka në pronësi Liverpool.

Gjithashtu ata kanë në pronësi edhe ekipin e bejsbollit, Boston Red Sox. Në lajmin e Sky News thuhet se mund të ketë një marrëveshje brenda disa ditësh, ndërkohë që shton se nga Milani mund ta kthejnë shikimin disa nga kompanitë që së fundmi janë futur në garën për të blerë Chelsea.

RedBird Capital Partners është themeluar nga Gerry Cardinale dhe menaxhon 6 miliard dollarë investime në të gjithë sektorët, duke nisur nga mallrat e konsumit, për të vijuar me shërbimet financiare, telekomunikacionin, mediat dhe teknologjinë. / oversport.tv

You may also like