INDONEZI – Të paktën 174 të vdekur pas një ndeshje futbolli

by admin
Spread the love

XHAKARTA, 2 tetor /ATSH/- Të paktën 174 persona janë vrarë dhe 180 të tjerë janë plagosur pas një përplasjeje mes tifozave dhe oficerëve të policisë në një ndeshje futbolli në Indonezi, njoftuan sot zyrtarët, duke e konsideruar ngjarjen si një nga katastrofat më të rënda të stadiumit në botë.

“Kur mbështetësit e zhgënjyer të ekipit vendas humbës, pushtuan fushën në Malang në provincën e Javas Lindore të shtunën në mbremje, oficerët hodhën gaz lotsjellës në një përpjekje për të kontrolluar situatën, duke shkaktuar rrëmuja dhe asfiksime”, deklaroi shefi i policisë të Javas Lindore, Nico Afinta.

“Ishte bërë anarkike. Ata filluan të sulmonin oficerët, të dëmtonin automjetet”, tha Nico, duke shtuar se përplasja ndodhi kur tifozët u larguan nga porta dalëse.

Pamjet nga kanalet lokale të lajmeve treguan tifozët që dilnin në fushë pasi Arema FC humbi 3-2 me Persebaya Surabaya rreth orës 22:00. Gjithashtu, shihen përleshje pas hedhjes së gazit lotsjellës në ajër.

Imazhet treguan persona që dukej se kishin humbur vetëdijen duke u tërhequr nga tifozat e tjerë.

Kreu i një prej spitaleve në zonën ku po trajtohen pacientët tha për “Metro TV” se disa nga viktimat kishin pësuar plagë në tru, ku përfshihej edhe një fëmijë pesë-vjeçar.

Presidenti indonezian, Joko Widodo tha se autoritetet duhet të vlerësonin plotësisht sigurinë në ndeshje, duke shtuar se ai shpresonte se kjo do të ishte tragjedia e fundit e futbollit në vend.

Jokowi, siç njihet presidenti, urdhëroi Shoqatën e Futbollit të Indonezisë që të pezullonte të gjitha ndeshjet në ligën e lartë indoneziane BRI Liga 1, derisa të përfundonin hetimet.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like