I zbuloi Klose, Çunin dhe Ibrën i ka… Rumenige. Arijoni në histori, debutoi 17 vjeç me Nagelsmanin

by admin
Spread the love

Frozinone mori tri pikë përballë Empolit në Serinë A me dy lojtarë që nënshkruan këtë verë, të ardhur nga Bajerni i Myhniut. Marvin Çuni dhe Arijon Ibrahimoviçi shënuan dy golat e fitores, duke dhënë një sinjal të fortë për ardhmen e tyre. Të dy futbollistët menaxhohen nga Romani, djali i legjendës gjermane Karl Hainc Rumenige.

Po kush janë dy talentet që po spikasin në kampionatin italian.

Asnjë lidhje familjare me Zllatanin, Arijoni është një futbollist me origjinë nga Prizreni i Kosovës, por i lindur në Nuremberg të Gjermanisë. Ai ka lindur në vitin 2005 dhe është rritur në futboll mes Nurembergut dhe Grethër Furthit, duke u transferuar në ekipet e të rinjve të Bajernit në moshën 12- vjeçare. Dy vite më vonë, kur ishte 14 vjeç, Ibrahimoviç luajti në ekipin bavarez U-17 të drejtuar nga Miroslav Klose, i cili ishte edhe trajneri i parë që nuhati lojtarin. Më pas ai kaloi një vit më vonë te Bajerni U-19 dhe në moshën 16-vjeçare në “Regionalliga” me Martin Demikelis. Tek akademia e gjigantëve gjermanë ka luajtur 63 ndeshje për moshat dhe në total ka shënuar 32 gola e ka dhënë 28 asistime.

Anësori mori debutimin e tij në Bundesligë me Julian Nagelsmanin, i cili në moshën 17 vjeç e 2 muaj e bëri atë lojtarin e dytë më të ri në historinë e bavarezëve që shkeli në fushë. Ai mbërriti në huazim dhe do të blihet nga Frozinone për 3.5 milionë euro, sepse konsiderohet një lojtar i fortë dhe i nivelit të lartë e pas dy muajsh në Itali i bindi të gjithë. Megjithatë, Bajerni, gjithmonë i vëmendshëm ndaj talenteve të tyre, ka në dorë rikthimin dhe do të jetë në gjendje ta sjellë atë në shtëpi për dy sezonet e ardhshme, për 11 milionë të parin dhe 14 sezonin e dytë. Një marrëveshje për të dyja skuadrat, nëse Arijon Ibrahimoviç do të shpërthente përfundimisht.

Deri tani në Serinë A 17-vjeçari ka luajtur 5 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola dhe një asist. Një rekord që ai ka thyer është ajo e moshës, duke u bërë futbollisti i parë i lindur në vitin 2005 që ka shënuar dhe ka asistuar në të njëjtën ndeshje në 5 ligat më të mëdha europiane. Për më tepër, ndër fjalët e para të tij në përfundim të fitores me Empolin mbrëmjen e së hënës ishin se idhulli i tij është Zllatan… Zllatan Ibrahimoviç.

WhatsApp Image 2023-11-06 at 9.24.46 PM (1)

MARVIN ÇUNI

Për Marvin Çunin situata është ndryshe. Pas tri vitesh në huazim në ligat e ulëta, Bajerni ra dakord ta lirojë atë. Fillimisht ai kaloi te skuadra e Grobaspashit, ku për 38 ndeshje shënoi 23 gola dhe 6 asiste, ndërsa huazimi i dytë ishte te Padërborni, ku luajti vetëm 11 ndeshje me ekipin e parë, ndërsa me skuadrën e dytë në tri ndeshje realizoi tre gola. Viti i tretë e gjeti te Sarbryken, që ishte një sezon pozitiv në përgjithësi. Çuni bëri 35 paraqitje gjithsej dhe arriti të tundë 13 herë rrjetën dhe të japë 4 asistime.

Ndërkohë tani ka nisur një aventurë të re në kampionatin italian. Pra, Çuni është një lojtar i Frozinones dhe erdhi si transferim me kosto zero. Megjithatë, për ta lënë të largohej, bavarezët mbajtën një përqindje të rishitjes së ardhshme. Edhe te sulmuesi mund të ketë një marrëveshje për të dyja klubet nëse ai do të rriste nivelin e performancës, siç po bën tashmë. Trajneri Di Françesko i ka besuar atij në 10 ndeshje deri tani bashkë me Kupën e Italisë, por vetëm në katër prej tyre e ka nisur titullar. Çuni ka shënuar ndaj Empolit golin e parë në Serinë A, ndërsa më parë ka dhënë edhe një asist ndaj Bolonjës dhe ka fituar edhe një penallti.

Si Arijoni edhe Marvin Çuni është me origjinë nga Peja dhe ka lindur në Gjermani. Ai është thirrur për herë të parë te moshat kuqezi në vitin 2019 dhe ka shënuar edhe dy herë për Shqipërinë U-19. Ndërkaq, muajin e kaluar Silvinjo i rezervoi atij një ftesë për ndeshjen miqësore me Bullgarinë. Braziliani e hodhi në fushë për më shumë se 30 minuta dhe sulmuesi 188 cm mbetet një alternativë për sulmin e Kombëtares shqiptare.

WhatsApp Image 2023-11-06 at 9.24.45 PM (3)

PANORAMSPORT.AL

The post I zbuloi Klose, Çunin dhe Ibrën i ka… Rumenige. Arijoni në histori, debutoi 17 vjeç me Nagelsmanin appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

You may also like