I riu në Kosovë humbi jetën në garat me makina/ Arrestohen tre të tjerë, ikën nga vendngjarja pa i dhënë ndihmën e parë viktimës

by admin
Spread the love

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona për rastin e aksidentin të ndodhur të enjten në Gjilan, ku për pasojë humbi jetën një person. Të arrestuarit dyshohet se nuk e kanë ndihmuar viktimën, por janë larguar nga vendi i ngjarjes. Për mosdhënie të ndihmës në raste të tilla dhe nëse ka viktima, Kodit Penal, parashikon dënim me burgim deri në 8 vjet.

Pjesë të makinës, copëza xhami e njolla gjaku. Kjo është ajo çfarë ka mbetur në vendin e aksidentit tragjik në Miresh të Gjilanit dy ditë pasi një automjet u përplas me shkëmbinjtë dhe përfundoi në anën tjetër të rrugës.

Lidhur me rastin, banorë të këtij vendi i kanë treguar mediave se të rinjtë ishin duke bërë gara me makina dhe se aksidentet në këtë zonë janë shpeshta. Në makinë bashkë me viktimën ka qenë edhe një person tjetër i cili ka pësuar lëndime trupore.

Por në prangat e Policisë kanë përfunduar tre persona të tjerë që kanë qenë në vendin e ngjarjes, të cilët janë identifikuar të premten.

“Lidhur me rastin, më datë 26.01.2024 njësiti hetuesisë ka identifikuar dhe arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit në ditën kritike kanë qenë së bashku me viktimën. Pas aksidentit të njëjtit nuk kanë ofruar ndihmë viktimës, por janë larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Policia.

Përveç për mosdhënie të ndihmës, dy nga të arrestuarit, B.A 29-vjeçar, F.A 23-vjeçar, dyshohen se në kohën e aksidentit, gjatë orëve të para të mëngjesit, kanë qenë duke bërë gara me makina, të cilat ndalohen me ligj.

“Të njëjtit me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim 48 orësh, të dyshuarit F.A. dhe B.A., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale ‘’Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme’’ dhe ‘’Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa i dyshuari L.M., për shkak të veprës penale ‘’Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik’’, të KPRK-së”, ka thënë Liridona Xheladini nga Prokuroria Themelore në Gjilan. Prokuroria pritet që të kërkojë masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve.

You may also like