“I lumtur për golin në debutim”, Muja: Te Samsunspor ndihem si në shtëpi

by admin
Spread the love

Ishte një lëvizje e papritur, por që po rezulton të jetë e duhura. “Fantazisti” i sulmit të Kombëtares së Shqipërisë, Arbnor Muja u transferua ditën e fundit të merkatos, në Turqi, te skuadra e Samsunspor, me këta të fundit, që derdhën plot 2 milionë euro, në arkat e “gjigantëve” belg të Antëerp, për shërbimet e 25-vjeçarit.

“Ylli” nga Mitrovica ka bërë edhe debutimin e tij, që në sfidën e parë, me skuadrën e Samsunspor, ku gjithçka filloi mbarë, me anësorin e krahut të djathtë të fushës, që gjeti rrjetën, vetëm pas 20 minutave në fushën e blertë, duke “vulosur” fitoren e pastër, 2 me 0, të ekipit të tij, ndaj skuadrës së Antalyaspor.

Pas goli, “rezerva” e preferuar e teknikut, Sylvinho dhe një prononcim të shkurtër edhe për mediat turke, ku fillimisht tregoi ndjesitë, që përjetoi kur shënoi golin e parë, me fanellën e Samsunspor e më tej tregoi se si ndihet në ekipin e tij të ri, teksa është shprehur se ndihet tamam si në shtëpi, pavarësisht se u transferua vetëm mesditën e 9 shkurtit.

“Mendoj se ishte ndeshje e vështirë dhe jam i lumtur që fituam. E kam ditur që një atmosferë e tillë na pret në stadium, pasi kemi tifozë të jashtëzakonshëm. Jam shumë i lumtur që jam lojtar i Samsunspor. Kam shënuar golin e parë në ndeshjen e parë dhe kjo më bëri shumë të lumtur.

Kam shumë pak këtu, vetëm tri ditë. Por, ndihem mirë, ndihem si në shtëpi. Shokët e skuadrës, stafi i klubit dhe trajnerët janë faktor i madh që më bëjnë të ndihem kështu. Jam i lumtur për këtë. Nuk është e lehtë të përshtatesh kaq shpejt, për vetëm një apo dy ditë. Do të punojmë shumë që të vazhdojmë me rezultate pozitive”,- u shpreh sulmuesi nga Mitrovica, në prononcimin e tij të parë për mediat turke. /i.m /abcnews.al

You may also like