“I dëgjova duke bërtitur nga poshtë”, flet dëshmitari i aksidentit tragjik në Maqedoninë e Veriut

by admin
Spread the love

Një taksist nga Kosova ishte dëshmitar i aksidentit të rëndë që ndodhi të shtunën në aksin rrugor Shkup-Bllacë, ku një veturë e tipit “BMW” nga Kosova përfundoi në lumin Lepenc, pasi u përplas me një tjetër mjet. Naman Ahmeti ka treguar për Klan Kosovën se çfarë kishte parë, teksa ishte duke u kthyer nga Shkupi.

“Duke ardhur nga Shkupi, minutat kanë qenë në pyetje që kur ka ndodhur aksidenti. Të gjitha copat e plastikës, parakolpit, duke mos e menduar se vetura është atje poshtë. Kur e pamë një “Touran” me tabela të Shkupit. Mendova se vetëm ai është goditur, po e shikonim ku është vetura tjetër”, deklaroi ai për Klan Kosova.

“Pastaj i kam dëgjuar duke bërtitur prej atje poshtë, atje ku ka rënë vetura me njerëzit brenda, nuk shihej vetura. Kjo shenjë shumë e keqe, por ai që bërtiste, për besë, po më vjen keq ta flas këtë fjalë, por nuk e kam pasur guximin që të afrohem as aty afër të shoh se e kam ditur se është e pamundur, se veç Allahu mund t’ju ndihmojë dhe kushdo qoftë, jemi njerëz. Ishalla çka vjen nga Zoti duhet të pajtohemi”, shtoi ai.

“Veç duhet pasur shumë kujdes. Edhe timoni është një lloj arme për mendimin tim”, theksoi taksisti nga Kosova.

Në automjetin në fjalë udhëtonin 4 anëtarë të familjes Pacolli. Vetëm një prej tyre ka arritur që të dalë nga makina. Aktualisht një operacion ku janë angazhuar ekipe nga Maqedonia e Veriut e Kosovës vijon për gjetjen e 3 anëtarëve të tjerë.

Klan Macedonia, që po ndjek nga afër këtë operacion, raporton se një automjet i zi është gjetur pranë vendit ku ndodhi fatkeqësia e së shtunës.

Aktualisht ekipet me makineri të rëndë pritet të tërheqin makinën që ndodhet brenda lumit. Ende nuk është konfirmuar nëse është vetura e familjes Pacolli.

You may also like