HUNGARI – Orban: Trump nuk do t’i japë asnjë qindarkë Ukrainës

by admin
Spread the love

TIRANË, 11 mars /ATSH/- Donald Trump nuk do të financojë luftën e Ukrainës kundër pushtimit rus nëse ai zgjidhet sërish president i SHBA-së, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban, sipas BBC.

“Ai nuk do të japë asnjë qindarkë në luftën Ukrainë-Rusi. Kjo është arsyeja pse lufta do të përfundojë”, tha kryeministri konservator pas takimit me Trump në Florida.

Trump është zotuar t’i japë fund luftës “brenda 24 orëve” nëse zgjidhet sërish president i SHBA-së.

Orban po mbështet hapur aleatin e tij afatgjatë në garën për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

“Është e qartë se Ukraina nuk mund të qëndrojë në këmbët e veta”, tha Orban për kanalin televiziv hungarez M1 dje në mbrëmje.

“Nëse amerikanët nuk japin para dhe armë, së bashku me evropianët, atëherë lufta ka mbaruar. Dhe nëse amerikanët nuk japin para, evropianët vetëm nuk janë në gjendje ta financojnë këtë luftë. Dhe atëherë lufta ka mbaruar”, tha ai.

Orban shtoi se Trump ka menduar se si t’i japë fund luftës Rusi-Ukrainë, por nuk dha detaje.

Në takimin e tyre të së premtes në rezidencën e Trump në Mar-a-Lago, ish-presidenti amerikan shprehu vlerësimet e tij për Orban.

“Nuk ka njeri që është më i mirë, më i zgjuar ose një lider më i mirë se Viktor Orban. Ai është fantastik”, tha Trump.

Gjatë vizitës së tij në SHBA, Orban nuk u takua me presidentin aktual të SHBA Joe Biden, i cili pritet të jetë rivali kryesor i Trump në zgjedhjet presidenciale në nëntor.

Është shumë e pazakontë që një lider i huaj të planifikojë bisedime me ish-homologët e Biden pa u takuar me udhëheqjen aktuale. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like