Huazimi te Fulham një dështim, tekniku Marco Silva “injoron” për të tretën herë Brojën

by admin
Spread the love

Zgjedhjet teknike dhe konkurrenca e fortë. Janë këto dy arsyet që sipas trajnerit te Fulham, Marco Silva po shënojnë aventurën zhgënyese të Armando Brojës te skuadra londineze. Mund të ketë plotësisht të drejtë, por kjo situatë nuk ndihmon aspak sulmuesin dhe aq më tepër kombëtaren e Shqipërisë.

Për ndeshjen e tretë radhazi në Premier League, Armando Broja qëndroi në tribunë, duke mos u llogaritur as si zëvendësues në humbjen shokuese 3 me 1, në transfertën e Nottingham Forest, një goditje e rëndë dhe po aq poshtëruese nga ana sportive për futbollistin shqiptar, që tani duhet të jetë penduar për zgjedhjen që bëri në ditën e fundit të merkatos së janarit.

Broja pranoi të huazohet nga “Blutë” e Chelsea, me bindjen se te “The Cottagers” do të gjente më shumë hapësira. Në fakt këto ishin pritshmëritë e të gjithëve, por në të vërtetë, transferimi te skuadra tjetër londineze rezultoi një zhgënjim i vërtetë, kjo pasi te Fulham, 22 vjeçari vetëm po stërvitet, ndërsa siç ka ndodhur javët e fundit, ndeshjet po i sheh nga tribuna.

Kjo e bën akoma më të vështirë momentin dhe objektivin e Armando Brojës vetëm pak muaj larg finaleve të Euro 2024, me “Legjionarin”, që u rikthye në Kombëtare, për miqësoret e marsit ku dha sinjale tejet pozitive në miqësoren kundër Suedisë, teksa shpreson të marrë një ftesë nga tekniku Sylvinho, për në Kampionatitn Evropian, të Gjermanisë, Euro 2024. /i.m /abcnews.al

You may also like