HOLANDË – Partia e djathtë populiste e Wilders projektohet fituese e zgjedhjeve

by admin
Spread the love

AMSTERDAM, 23 nëntor /ATSH-DPA/ – Partia populiste e krahut të djathtë për Lirinë, PVV e Geert Wilders është shfaqur si forca më e fortë pas zgjedhjeve të djeshme parlamentare holandeze, sipas një sondazhi nga transmetuesit holandezë.

PVV parashikohet të marrë 36 nga 150 vendet në parlament, një rezultat i cili, nëse konfirmohet, do ta bënte atë partinë e parë populiste të krahut të djathtë që fiton ndonjëherë zgjedhjet parlamentare në Holandë.

“Votuesi foli”, tha Wilders dje në mbrëmje.

Bisedimet për koalicion pritet të zgjasin shumë dhe përbërja e ndonjë qeverie mund të mos jetë e qartë për disa kohë.

Wilders njoftoi se ai tani gjithashtu dëshiron të qeverisë duke thënë se “në asnjë rrethanë nuk duhet të injorohet vullneti i votuesve”.

“Holanda ka folur dhe, për sa më përket mua, kjo duhet të zbatohet”, theksoi ai.

Megjithatë, ai ka nevojë për të paktën dy parti për një shumicë dhe kjo është e diskutueshme nëse ai mund të gjejë realisht partnerë për një koalicion.

“Unë besoj se ne të gjithë duhet të kapërcejmë veten”, tha ai duke iu referuar refuzimit të deklaruar të partive të tjera për të punuar me të, gjë që mund të nënkuptojë se pavarësisht nga një vend i parë i parashikuar në zgjedhje, Wilders mund të mos bëhet kryeministri i ardhshëm i vendit.

Partia qeverisëse liberale e krahut të djathtë VVD e kryeministrit në largim, Mark Rutte humbi 10 vende dhe tani ka 24 të tilla.

Partia antiislame e Wilders bëri një hap të rëndësishëm përpara në sondazhe pasi partia qeverisëse liberale e krahut të djathtë, Partia Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD), tha se nuk po përjashtonte një koalicion me të këtë herë.

Kandidatja kryesore e VVD-së, Dilan Yesilgoz, synon të pasojë kolegen e saj të partisë Rutte dhe të bëhet gruaja e parë në krye të qeverisë.

Rutte gjithmonë e kishte përjashtuar mundësinë e punës me Wilders.

Aleanca e partive Social-demokrate dhe të Gjelbërve, kandidati kryesor i së cilës është ish-komisioneri i BE-së për klimën, Frans Timmermans, parashikohet të fitojë 25 vende.

“Tani është koha që ne të mbrojmë demokracinë”, tha Timmermans.

Kandidati i mëparshëm në zgjedhje – ish-kristian-demokrati Pieter Omtzigt dhe partia e tij e re Kontrata e Re Sociale (NSC) – pritet të fitojë 20 vende.

Rreth 13,3 milionë qytetarë holandezë u thirrën për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të cilat u thirrën pasi koalicioni i qendrës së djathtë të Rutte u shemb për shkak të një konflikti në lidhje me politikën e migracionit.

Rutte më pas njoftoi se do të largohej nga politika kombëtare.

Ai ka qenë kryeministër për rreth 13 vjet dhe do të qëndrojë në detyrë derisa të zgjidhet një pasardhës.

Pas zgjedhjeve të mëparshme në mars 2021, u deshën pothuajse 10 muaj që liberali i krahut të djathtë Rutte të prezantonte kabinetin e tij të katërt.

Udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë të Gjermanisë ”Alternativa për Gjermaninë” (AfD), Alice Weidel, uroi Wilders në platformën X.

Sipas raportimeve në median holandeze, Wilders ka marrë urime edhe nga kryeministri hungarez Viktor Orban dhe nacionalistja franceze e djathtë, Marine Le Pen./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like