Historia motivuese e poetes së verbër Fjolla Muhaxhiri Agusholli me bashkëshortin invalid – Shqip

by admin
Spread the love

“Unë e kam thënë shpesh, për mua ai është sytë e mi dhe unë jam këmbët e tij. Me bashkëshortin jam takuar në mënyrë krejt rastësore prej mikeshës sime të ngushtë, në një moment kur unë i kisha humbur tëgjitha shpresat dhe nuk doja të dilja as nga dhoma ime. Ajo u mundua që me çdo kusht të më takonte me një person. Në momentin e takimit me të, jam ndalur dhe i kam thënë vetes: “Ky ka për të qenë i imi”. Arsyeja ishte se ai ma kuptonte gjendjen time emocionale. Kam dashur përherë të më kuptonte dikush dhe lidhjen tonë ende e mban mirëkuptimi mes nesh.

Çdo ditë e më tepër lidhja jonë është më e fortë, sepse kemi 12 vite martesë bashkë dhe për çdo vështirësi që kemi pasur në jetën tonë, lidhja jonë është forcuar më tepër. Në moshën 22 vjeçare, ai ka qenë ushtar dhe është plagosur. Kjo është arsyeja pse tashmë është invalid lufte, dhe në karrocë. Ndërkohë unë isha 20 vjeçe, kur jam verbuar.

Ai më ka ndihmuar shumë, sepse për çdo gjë që mendoja se nuk mund ta bëja, jam kthyer drejt tij dhe kam menduar: “Por ky po mundet dhe është në gjendje më të vështirë se unë”. Mua më duhet vetëm njëkrah dhe një dorë për të më ndihmuar të eci, por mund t’i kryej të gjitha gjërat vetë. Mendoja vetëm se ai kishte shumë më tepër nevojë për ndihmë. Përderusa ai ishte pajtuar me gjithë sfidat e vështira, pse të mos pajtohesha dhe unë. Kjo më shtynte që të vazhdoja ta bëja, çfarë kisha pasur në mendje për të bërë.

Unë ndihem shumë mirë, kur i jap shpresë në ditët e vështira. Ndoshta nuk më besoni, por ka raste kur ndiej sikur arrij ta shoh të kënaqur. Unë e kam thënë përherë, për mua ai është sytë e mi dhe unë jam këmbët e tij. Çdo herë ka për të qenë kështu”. – Fjolla Agusholli

You may also like