Hill: Serbia ishte e përgatitur për negociata në Bruksel, por pala tjetër s’ishte e gatshme që të flasin për specifika

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, thekson se Serbia shkoi e përgatitur në rundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi që u mbajt në Bruksel më 18 gusht, ndërkaq, palët e tjetra, siç tha ai, nuk ishin të përgatitur “që të flasin për specifika”.

Gjatë një interviste në N1, Hill shtoi se në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja po tentohen të bëhen dy gjëra: adresimi i çështjeve urgjente, përkatësisht vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për targat dhe dokumentet serbe dhe adresimi i çështjeve, siç tha ai, të rëndësishme.

“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika”, tha Hill.

“Mendoj që për të zgjidhur këto çështje përfundimisht duhet të flisni për specifika. Por, po ashtu duhet t’i vendosni këto specifika në një kontekst më të gjerë dhe konteksti më i gjerë është çështja e komunitetit serb dhe se si ky komunitet do të jetojë në të ardhmen. Për mua është kyçe që komuniteti serb të ndihet si në shtëpi në Kosovë dhe të sigurt. Pra, janë disa përpjekje për të cilat duhet të bisedohet dhe besoj që këto përpjekje do të vazhdojnë”, shtoi ambasadori amerikan në Beograd.

I pyetur nëse mendon se është e mundur të vendosen sërish barrikada në veri të Kosovës, ai thotë se diplomatët “nuk ia dalin shumë mirë me supozimet”.

“Është plotësisht e qartë për mua pse po më kërkoni këtë, por më mirë do të përqendrohesha në atë që duhet bërë për të shmangur çdo përshkallëzim të tensioneve”, tha Hill.

Ai shtoi se fokusi është aktualisht në vendosjen e një situate normale në të cilën njerëzit mund të vazhdojnë jetën e tyre.

“Por tani është e qartë se ne nuk e kemi atë situatë normale”, shtoi ai.

Duke kujtuar se ka qenë i angazhuar edhe gjatë negociatave në Rambuje, ai shprehet se është “thjesht e pabesueshme” që pas 23 vitesh të ketë hasur në shumë probleme të ngjashme kur u kthye në rajon.

Hill shtoi se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të definohet më mirë, sepse “njerëzit duhet të dinë se si do të duket jeta e tyre dhe kjo përfshin të kuptuarit e detajeve reale”.

“Nuk mund të flasësh vetëm për këtë në një nivel të përgjithshëm dhe të presësh që një shofer kamioni nga Mitrovica të kuptojë se për çfarë po flisni”, potencoi diplomati amerikan.

“Nuk shoh asnjë provë se Rusia është mike e Serbisë”

Hill, potencoi se ai nuk sheh shumë prova se Rusia është “çfarëdo lloj miku” me Serbinë.

“Rusia po i kërkon Serbisë të bëjë gjëra që janë në interes të Rusisë dhe nuk jam i sigurt se është vërtet, sinqerisht, në interes të Serbisë”.

I pyetur se si situata me luftën në Ukrainë ndikon në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe në politikën serbe në përgjithësi, ai tha se presidenti rus Vladimir Putin “e mori atë vend në kufi, dhe ne nuk e dimë se kur do ta bëjë Rusia”.

“Dhe kjo është arsyeja pse habitem kur shoh se disa njerëz mendojnë se Rusia është ende një aktor legjitim në skenën politike, gjë që nuk është. Dhe unë mendoj se është një situatë e tmerrshme dhe ndoshta një tjetër tragjedi e madhe, përveç asaj që po shohim në Ukrainë”, tha ai.

I pyetur për të komentuar vizitën e ministrit Aleksander Vulin në Moskë, Hill tha se ai nuk e kuptonte atë dhe se ishte mjaft konfuze.

“Nuk e kuptoj se çfarë po përpiqej të arrinte atje. Dhe, sinqerisht, ndoshta edhe ai nuk e kupton”.

You may also like