“Hidhërimin ta kthejmë në inat”, Allegri: I lumtur me sulmuesit, Napoli bëri diferencën në transferta

by admin
Spread the love

Juventus përgatitet të nisë sezonin e ri të Serie A, teksa bardhezinjtë luajnë të dielën në transfertë ndaj Udineses.

Para sfidës së Friulit, në konferencë për shtyp foli tekniku i torinezëve, Massimiliano Allegri i cili u shpreh se hidhërimin e sezonit të kaluar ku nuk mundën të kualifikoheshin në Champions League (pasi u penalizuan me 10 pikë), ta shndërrojnë në inat dhe motivim që në fushë të marrin pikët për të pretenduar objektiva madhorë.

“Nga nesër nisin ndeshjet e vërteta, ato që kanë rëndësi. Skuadra ka shumë mundësi për t’u përmirësuar dhe dua që në muajin prill të jemi mes pretendentëve për kampionatin. Nuk e di nëse na bën mirë fakti që jemi jashtë Europës, e sigurt është se tashmë ndryshon mënyra e të punuarit. Të mos luajmë në Champions League na shkakton shumë hidhërim, por këtë duhet ta kthejmë në inat që në fushë të marrim rezultate pozitive dhe të rikthehemi në Europë nga sezoni i ardhshëm.

Sa i takon sulmit e kam theksuar se Chiesa është i veçantë, është më i qetë tani pasi e ka kaluar dëmtimin. Vlahovic nuk është ende në 100% pas problemeve me pubalgjinë, por në miqësoren e fundit u duk mirë. Është edhe Milik, ndërsa Kean nuk do të jetë në dispozicion ndaj Udineses. Kam Yildiz, një të ri me perspektivë, unë jam shumë i lumtur me reaprtin ofensiv që kam në dispozicion.

Favorit për titullin? Të parët janë kampionët në fuqi, Napoli. Pastaj, Inter, Milan dhe Lazio që kampionatin e fundit e mbylli në vend të dytë. Mbetet për t’u parë, por pas disa fundjavësh do të kuptohet më mirë cili do të jetë trendi këtë sezon. Na duhet të përmirësojmë transfertat sepse sezonin e kaluar këtu është bërë diferenca. Kemi marrë vetëm 30 pikë jashtë fushës sonë, ndërsa Napoli mori 45.

Kujtojmë se ndeshjen mes Udineses dhe Juventus mund ta ndiqni në Shqip 2, duke nisur nga ora 20:45./Supersport


Top Channel

You may also like