“Heilbronner Stimme”: Edhe pas katër dekadash, atentati mbi vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekës mbetet i pazgjidhur

by admin
Spread the love

Natën e 18 janarit 1982: Rrugët ishin mbuluar me dëborë kur pak pas orës 22:00, një veturë e llojit BMW 316 jeshile po dilte nga një garazh në rrugën “Habichthöhe” në Untergruppenbach. Me marshin mbrapa, automjeti lëviz disa metra në një kryqëzim dhe ndalon nën një llambë rruge. Më pas gjithçka ndodh shumë shpejt: Një person del nga errësira në anën e djathtë të automjetit dhe qëllon tre të shtëna nga afër në brendësi të automjetit. Një i huaj i dytë afrohet dhe gjithashtu qëllon në BMW-në e gjelbër. Dymbëdhjetë plumba kanë goditur pasagjerët, dy autorët arratisen. Më pas motori i veturës ende është në funksion – këmba e vozitësit është ende në përshpejtuesin e gazit – përpara se BMë të rrokulliset dhe më në fund të ndalojë në një derë garazhi.

Telefonata: “Ishte një ditë e ftohtë janari”, përkujton banorja lokale Ursula Lindmaier. “Kishim dëgjuar zhurma, por nuk e kuptuam menjëherë se ishin të shtëna”, thotë banroja e Untergruppenbachut. Menjëherë pas kësaj, ajo dhe burri i saj u thirrën nga fqinjët se diçka e keqe kishte ndodhur dhe se ata donin të dilnin dhe të shikonin. “Më pas e pamë veturën dhe dëgjuam, motori ende punonte me zhurmë të lartë”, përkujton Lindmaier ende ngjarjet e asaj nate katër dekada më vonë për gazetën “Heilbronner Stimme“. Në veturë fqinjët gjetën tre burra.

“E telefonuam menjëherë numrin e urgjencës dhe morëm batanije për t’i ngrohur të tre”, thotë Lindmaier. “Dy i njohëm, ishin vëllezërit Bardhosh dhe Jusuf Gërvalla, fqinjët tanë. Siç kuptova më vonë, personi i tretë ishte një mik gazetar nga Zvicra, transmeton portali Shtegu. ”Ky i fundit, 28-vjeçari Kadri Zeka, u plagos për vdekje, si dhe vozitësi Bardhosh Gërvalla (31). 36-vjeçari Jusuf Gervalla ishte plagosur rëndë dhe pak më pas nuk u mbijeton plagëve të marra. Fqinja përkujton se menjëherë pas krimit ka thënë se autorët kanë vepruar në emër të shërbimit të atëhershëm sekret jugosllav.

Tre viktimat janë shqiptarë dhe si luftëtarë për Kosovën e pavarur, ishin kundërshtarë të Qeverisë së atëhershme në Beograd. Mirëpo komisioni i posaçëm “Untergruppenbach” i ngritur në atë kohë, nuk ka mundur asnjëherë të vërtetojë lidhjen e pretenduar mes autorëve dhe shërbimit sekret dhe çështja nuk është zbardhur deri më sot. Duke iu referuar Zyrës së Policisë Kriminale të Shtetit, Uwe Jacobi, redaktor i Heilbronner Stimme, atëbotë shkroi se “procedura dhe saktësia e shenjave sugjerojnë qitës profesionistë”.

Muzikanti, shkrimtari dhe gazetari Jusuf Gervalla u largua nga atdheu i tij në Ludwigsburg në vitin 1980 për të shmangur arrestimin për arsye politike. Pak muaj më vonë, bashkëshortja e tij Suzana e ndoqi me dy djemtë dhe vajzën. Familjet e dy vëllezërve jetonin së bashku në Untergruppenbach.

Tradhti: “Në ditët pas krimit ne patëm shumë kontakte me dy gratë e viktimave”, thotë Ursula Lindmaier. “Kanë qarë shumë, ishte shumë keq”. Një ditë erdhi gruaja e Bardhosh Gërvallës dhe i kërkoi që t`i mbante paratë e fluturimit për në Shqipëri, sepse në Gjermani nuk ndjehej më e sigurt. “Në shtëpi kanë pasur shumë miq, por kanë dyshuar edhe për personin që thuhet se i ka tradhtuar”, thotë fqinja.

Ursula Lindmaier e përshkruan marrëdhënien me familjen Gërvalla si të ngrohtë: “Ata ishin njerëz shumë të mirë, aq artistikë dhe jashtëzakonisht të talentuar në gjuhë. Unë e kisha për shumë vite një disk me regjistrim të vëllait të vogël. Ai ishte një këngëtar në një kor”.
Vajza e atëhershme dhjetëvjeçare e Jusuf Gërvallës, Donika, vizitonte shpesh fqinjët dhe gjithashtu si e rritur kthehej te familja Lindmaier kur kalonte atypari. Donika Gervalla-Schwarz më vonë studioi muzikë dhe drejtësi, por edhe politikisht ishte aktive. Që nga marsi i vitit 2021 është zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Jashtme e Republikës së Kosovës.

Përkujtim
Të tre burrat u varrosën në varrezat kryesore në Shtutgart dhe eshtrat e tyre u transferuan në Kosovë në vitin 2002. Në Untergruppenbach është një pllakë përkujtimore për t’i përkujtuar ata. Nga ana tjetër, banorët vendas mblodhën nënshkrime sepse kishin frikë se vendbanimi i dikurshëm i Gërvallajve do të bëhej një “vend pelegrinazhi” për kosovarët e mërguar, siç rikapitullon Ursula Lindmaier.

Përshtatur nga Heilbronner Stimme, publikimi i datës 18.01.2022

You may also like