Haxhiu: Shqipëria na ka ofruar ndihmën për bashkëpunimin në procesin e Vetingut

by admin
Spread the love

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që u mbajt sot, tha që bashkë me homologun nga Shqipëria, Ulsi Manja, janë zotuar që do t’i konkretizojnë marrëveshjet që janë nënshkruar nga kjo mbledhje.

“Bashkëpunimi me ministrin Manja ka qenë i lehtë për faktin se ne njihemi edhe për kohën sa kemi qenë kryetarë të komisioneve në kuadër të kuvendit të Kosovës dhe të Shqipërisë. Kemi qenë homologë, edhe tani si ministra ne jemi zotuar që do të bashkëpunojmë që ta konkretizojmë bashkëpunimin që të mos mbetet veç deklarative –pra marrëveshja për çështje civile, do të hyjë në fuqi më 30 qershor të këtij viti”.

Në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova, Haxhiu ka thënë që bashkëpunimi do ta vazhdojnë edhe me “marrëdhëniet tona reciproke sidomos në fushën e avokatisë, edhe për njohjen e provimit të jurisprudencës”.

“Sot, u zotuam që ne do të vazhdojmë bashkëpunimin dhe uroj që në mbledhjen e ardhshme disa prej këtyre marrëveshjeve do të finalizohen në mënyrë që pastaj të jetësohen përbrenda kuvendeve. Prandaj, besoj fuqishëm që këto marrëveshje do të finalizohen dhe ata të cilët do të përfitojnë nga këto marrëveshje janë qytetarët si të Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë”.

Haxhiu ka folur gjithashtu edhe për procesin e bashkëpunimit të Kosovës me Shqipërinë lidhur me procesin e Vetingut.

“Nga ministri Manja, jam njoftuar për së afërmi në raport me procesin e Vetingut në Shqipëri, sikurse aspektet pozitive të Vetingut në Shqipëri por edhe për sfidat që i ka pasë ky proces është i vështirë dhe mund të ketë sfida. Nga ministri Manja më është ofruar i gjithë potenciali që ka Ministria e Drejtësisë për ta ndihmuar Kosovën në këtë proces, i cili së shpejti do të nisë pasi Komisioni i Venecias i ka dhënë dritën jeshile amendamenteve kushtetuese për mekanizmin e pavarur. Posa ta thotë fjalën edhe Gjykata Kushtetuese do ta vazhdojmë bashkëpunimin që ky proces në Kosovë të jetë sa më transparent”, tha ajo.

You may also like