Haradinaj, Kurtit: Gjithmonë i gatshëm të diskutojmë për qeverisjen katastrofike në planin e brendshëm

by admin
Spread the love

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen e ofruar ndaj Kosovës, në të gjitha fazat e lirisë dhe shtetndërtimit.

Por, pavarësisht marrëveshjes së planit evropian, Haradinaj nuk ka kursyer kritikat ndaj kryeministrit Albin Kurti, përcjell klankosova.tv.

”Mirënjohës dhe falënderues për angazhimin e jashtëzakonshëm të ShBA-ve në mbështetje të Kosovës në të gjitha fazat e lirisë dhe të shtetndërtimit. Kontributi amerikan ishte i një rëndësie jetike edhe për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që është edhe garancë sigurie dhe prosperiteti për vendin.
Ky propozim e ka marrë mbështetjen time dhe të AAK-së, sepse kemi vlerësuar se shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen edhe ‘de jure’ të Kosovës. Vlerësoj se kjo ka qenë më e mira e mundshme. Kjo mbështetje është bërë ekskluzivisht për vendin dhe pa kurrfarë kalkulimi elektoral.
Këto janë momente jetike për të ardhmen e Kosovës, prandaj kërkohet një unitet politik, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të kuptohet si mbështetje për individin.
Gjithmonë do të kemi kohë t’i diskutojmë kusuret e Kryeministrit dhe të qeverisjes së tij katastrofike në planin e brendshëm. Natyrisht, mbetet edhe shumë punë për t’u bërë, në mënyrë që krejt ky proces kaq i rëndësishëm, të mos degradojë e të finalizohet me sukses.
Kjo kërkon kujdes e përgjegjësi, që të sqarohen e të adresohen gjitha shqetësimet e mundshme të opinionit publik që kanë të bëjnë me aneks-marrëveshjen e cila ende nuk është bërë publike.
Unë kam besim në ShBA-të dhe në aleatët perëndimorë, se do të na ndihmojnë si edhe deri sot, që ta përmbyllim marrëveshjen që garanton Kosovën shtet të pavarur e sovran dhe me perspektivë të qartë integruese euro-atlantike”.

You may also like