Halimi: Faktet çmontojnë propagandën – Duke mos e shkarkuar Berishajn, Kurti ka një lidhje në dukje të pazgjidhshme me të

by admin
Spread the love

Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, është shprehur se partia në pushtet, po e mbulon një skandal me një tjetër, kështu duke kritikuar ashpër publikimin e videos së Lëvizjes Vetëvendosje.

Kësaj sipas Halimit, duke i paraprirë edhe raportimi i gazetës sllovene me ambasadorin Martin Berishaj, përcjell klankosova.tv.

”’Kinostudioja’ Qeveria Kurti, sot e publikoi një tjetër produkt të dështuar të propagandës së vet. Mbulo një skandal me një tjetër—kështu funksionon ky pushtet. Pas shkrimit në gazetën sllovene, ku flitet për transaksione në vlerë 100 milionë euro, të cilat e ndërlidhin ambasadorin Martin Berishaj me Kurtin, partia në pushtet doli me një video 100-sekondëshe. Qeveria që sillet si opozitë edhe pas gati dy viteve në pushtet, vazhdon të tregojë mjerimin e saj, dështimin spektakolar dhe mungesën e projekteve e rezultateve, përmes videoklipeve të tilla ku fajëson gjithë të tjerët.

Pushteti që s’bën asnjë punë të prekshme, natyrisht që gjen kohë për të tilla absurditete. Mirëpo, faktet e çmontojnë secilën propagandë. Fakt është se Kurti duke mos e shkarkuar ambasadorin në fjalë, ka një lidhje në dukje të pazgjidhshme—krejtësisht të çuditshme—me ambasadorin Martin Berishaj. Prandaj edhe nuk do, apo mbase edhe nuk mundet edhe po të dojë, që ta lirojë nga detyra. Po ashtu është fakt se ky pushtet, i ka në arkën e vet gati një miliard euro, ndërkohë që qytetarët tanë blejnë ushqime me çmime ndër më të lartat në Evropë në raport me standardin jetësor; profesionistët shëndetësorë dhe jo vetëm largohen masivisht; ndërsa bizneset rrezikojnë falimentimin.

Nuk ka propagandë të shfrenuar që e mbulon jetesën e rënduar, si pasojë e padijes dhe paaftësisë qeveritare. Ky realitet i hidhur jetohet e përjetohet çdo ditë nga qytetarët tanë, të cilët presin shumë më shumë se ankesa nga një pushtet i stërmadh që kontrollon gjithçka. Qytetarët tanë, me të drejtë, presin zgjidhje konkrete, projekte zhvillimore e investime shtetërore. Ndërsa pushtetarët kanë prioritetet tjera, krejt të kundërta me njerëzit e zakonshëm. Kjo pandjeshmëri njerëzore e mosgatishmëri për t’i shërbyer vendit—megjithëse do të marrë ndëshkimin e merituar elektoral—po i shkakton pasoja të mëdha Kosovës!”.

You may also like