Guvernatori DeSantis: Padia e kompanisë Disney është e motivuar politikisht

by admin
Spread the love

Guvernatori i Floridas Ron DeSantis e quajti të enjten të pabazë padinë e ngritur ndaj tij nga kompania Disney që kundërshton vendimet e marra nga një bord i ri drejtues i emëruar nga zoti DeSantis, në distriktin ku përfshihet edhe parku i argëtimit Disney World, vendime që i hoqën efektivisht kompanisë autoritetin e vendimmarrjes për projektet e zhvillimit dhe ndërtimit.

Mosmarrëveshja mes guvernatorit republikan dhe kompanisë filloi para një viti kur Disney kundërshtoi publikisht një ligj të shtetit të Floridas që ndalon mësimdhënien për orientimin seksual dhe identitetin gjinor në shkolla.

Guvernatori DeSantis tha se padia e kompanisë Disney ishte e motivuar politikisht dhe se ka ardhur koha që të ndalet trajtimi preferencial në shtetin e tij për këtë kompani të dashur për publikun në mbarë botën.

“Janë të zemëruar pasi u duhet të jetojnë sipas të njëjtave rregulla si të gjithë të tjerët. Nuk duan të paguajnë të njëjtat taksa si gjithë të tjerët dhe duan të kenë kontroll mbi gjërat pa mbikëqyrjen e duhur. Ndërkohë që të gjithë banorët e Floridas e kanë një mbikëqyrje të tillë. Pra është disi e tepruar të ankohen për këtë. Nuk mendoj se padia është e justifikuar. Mendoj se është politike”, tha zoti DeSantis.

Kompania Disney e paditi Guvernatorin republikan DeSantis të mërkurën për shkak të vendimeve të marra nga një bord i ri drejtues i emëruar nga zoti DeSantis, që i hoqën efektivisht kompanisë kompetencat për projektet e zhvillimit dhe ndërtimit në parkun Disney World. Parku i argëtimit Disney World ndodhet në një distrikt të veçantë administrativ me kompetenca të veçanta në fushën tatimore dhe të zhvillimit. Kompania e akuzoi guvernatorin për një “fushatë të qëllimshme hakmarrjeje” qeveritare, pasi kompania kundërshtoi një ligj që kritikët e kanë mbiquajtur “Mos thuaj Gay”, ku ndalohet mësimdhënia në shkolla për orientimin seksual dhe identitetin gjinor.

“Që të kesh një ekonomi tregu të gjallëruar do të thotë që të mos zgjedhësh humbës apo fitues. Dhe ditët e vendosjes në piedestal të një kompanie, pa asnjë llogaridhënie, kanë përfunduar në shtetin e Floridas”, tha zoti DeSantis.

Padia gjyqësore është zhvillimi më i fundit në një mosmarrëveshje mbi njëvjeçare mes kompanisë Disney dhe Guvernatorit DeSantis, i cili po përgatitet të shpallë kandidimin për president në muajt në vazhdim. Guvernatori DeSantis i bëri komentet e tij nga Izraeli, ndalesa e tij e tretë në kuadrin e një udhëtimi ndërkombëtar që synon të forcojë pozitat e tij në skenën ndërkombëtare përpara se të njoftojë kandidimin për president, që do ta bënte atë një rival kryesor përballë ish-Presidentit Donald Trump.

“Nuk është përcaktuar gjë ende. Jam i përqëndruar tek misioni ynë. Do të shkojmë pothuajse në mbarë botën. Nëse do të ketë ndonjë njoftim, do të vijë në kohën e duhur. Por nëse dikush thotë se di diçka, është thjesht e pasaktë, pasi nuk ka patur ndonjë vendim të marrë”, tha ai.

Zoti DeSantis e filloi udhëtimin e tij ndërkombëtar në Japoni dhe në vazhdim u ndal në Korenë e Jugut. Pas Izraelit, ai do të vizitojë Britaninë.


Top Channel

You may also like