Grusht shteti tjetër në Afrikën e pasur, si e sheh Tarik Ramadan? – Shqip

by admin
Spread the love

Mendimtari i njohur musliman në Europë, Tarik Ramadan, i ka kushtuar një koment grushtshtetit në Gabon, që pason atë të Niger, ku dukshëm po shihet një përmbysje e madhe në shtetet e pasura afrikane, në shënjestrat e interesave perëndimore.

Aty në Gabon, ra nga pushteti Ali Bongo, për të cilin thuhet se ishte i korruptuar.

“Babai i tij Omari sundoi me dhunë dhe korrupsion dhe Ali Bongo i ndoqi gjurmët e babait të vet, duke falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve elektorale, duke vjedhur nga populli i tij dhe duke transferuar me miliona dollarë në bankat e huaja. Pas më se 50 vitesh ai po përgatiste djalin e tij Frederikun që ta marrë pushtetin në vend. Rënia e tyre është një lajm i mirë për demokracinë”, shkruan Ramadan. Ai vijon të theksojë rolin e Francës në këtë zhvillim, prania e së cilës është dhe në Mali, Niger, Burkina Faso.

“Ekuacioni është i thjeshtë dhe i mirënjohur kur ti dëshiron të marrësh ar, bakër, uranium ose hekur me çmime të ulëta dhe çmimi i lirisë afrikane nuk ka vlerë. Sot po ashtu si edhe dje.

Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në Mali, Burkina Faso, Niger, Senegal apo Gabon, por një gjë është e sigurt gjithsesi: kontinenti është duke përjetuar dhe do të përjetojë përmbysjet më të mëdha. Dhe fuqitë e vjetra koloniale po aq sa edhe të rejat, nuk do të jenë të afta vazhdimisht të përdorin dordolecin e terrorizmit për të justifikuar interesat vetjake për kontrollin e ekonomisë dhe sigurisë

Këto janë grushte shteti ushtarake me lidera të vetëdijshëm për manipulimet e sigurisë. Mbetet për t’u parë nëse ata do të jenë të aftë të zhvillojnë një vetëdije politike dhe ekonomike transnacionale të aftë për t’i rezistuar presioneve kontradiktore të Francës, Shteteve të Bashkuara, Rusisë ose Kinës”, përfundon Tarik Ramadan. /tesheshi.com/

 

 

 

You may also like