Grupacioni “Saubermaher” do ta pastrojë Tetovën!

by admin
Spread the love

Marrëveshje PPP për grumbullimin dhe deponimin e mbeturinave

Komuna e Tetovës dhe kompania austriake “Saubermaher” të prezantuar nga “Sabermaher – Slloveni”, kanë nënshkruar marrëveshje për partneritet publiko-privat për grumbullimin dhe deponimin e mbeturinave komunale në gjithë territorin e Komunës së Tetovës deri në deponinë rajonale.

“Bashkë me ekipin e grupacionit Saubermacher janë bërë analiza dhe studime në lidhje me menaxhimin e mbeturinave, grumbullimin dhe deponimin e tyre për të ardhur në përfundimin që sot po e kurorëzojmë me sukses. Nga sot e tutje Tetova do ketë një problem më pak, nga shumë probleme të shtresuara nga e kaluara”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Kompania e re duhet të rrisë nivelin e menaxhimit me mbeturina që nga grumbullimi në territorin e Komunës së Tetovës e deri në dërgimin në deponinë rajonale “Rusino”.

Ndërmarrja Publike ekzistuese NPK “Tetova” transformohet dhe një pjesë e të punësuarve do të kalojnë në kompaninë e re.

“Saubermaher” është kompani ndërkombëtare, veprimtaria e së cilës është menaxhimi dhe reciklimi i mbeturinave, me seli në Feldkirhen afër Gracit.

Kompania familjare është themeluar në vitin 1979 nga Hans dhe Margaret Hot dhe paraqet një partner kompetent për rreth 1.600 komuna dhe mbi 42.000 biznese. Për momentin kjo kompani ka mbi 3.600 të punësuar në shtatë vende. /KlanMacedonia

You may also like