GREQI – Për herë të parë kanabisi me recetë për përdorim mjekësor i disponueshëm ligjërisht

by admin
Spread the love

ATHINË, 25 shkurt /ATSH-ANA/ – Anna Paga, një 60-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, mund të jetë ndoshta një nga pacientet e para në Greqi që do të jetë në gjendje të blejë kanabis për përdorim mjekësor në një farmaci me një recetë mjeku.

Anës iu dha receta si një trajtim për dhimbjet kronike të shkaktuara nga artriti psoriatik.

“Çfarë mund të them për këtë ditë. Një falenderim shumë i madh, lehtësim, shfajësim, liri për të jetuar. Unë kam qenë ndër të parët që kam marrë recetën përmes sistemit të recetës elektronike dhe nuk e prisja, nuk mund ta besoja. Unë shpërtheva në lot… është një fund për rreziqet dhe frikën”, tha ajo duke folur për ANA-n.

Paga tha se diagnoza e transformoi atë që kishte qenë një jetë e ngarkuar dhe e lumtur në një makth të pafund dhimbjesh të vazhdueshme, ndërsa ajo kalonte nëpër raunde të njëpasnjëshme trajtimesh të dështuara për gjendjen e saj, të cilat përfundimisht duhej të ndërpriteshin.

Ajo tha se dhimbja e kishte rraskapitur deri në atë pikë sa kishte menduar të vetëvritej, përpara se të zbulonte opsionin e kanabisit farmaceutik në internet, përmes një organizate të quajtur ”Nënat për kanabisin” (MAMAKA).

Me kanabisin farmaceutik tashmë të disponueshëm ligjërisht në Greqi, ajo nuk ka më nevojë të rrezikojë një rrugë joligjore, pasi produktet e kanabisit për përdorim mjekësor tani mund të përshkruhen dhe shiten ligjërisht.

Mjekët vënë në dukje se ai “nuk është një ilaç” dhe kërkon “durim nga pacienti dhe mjeku” për sa i përket dozës së duhur dhe rezultateve.

Sipas Chrysoula Karanastasi, anesteziste dhe drejtuese e Shoqatës Mjekësore Greke për Kanabinoidet “nuk ka asnjë kufizim. Të gjithë mund të përfitojnë potencialisht. Kanabinoidet janë një grup i ri substancash farmakologjikisht aktive, të cilat sillen në një mënyrë të ndryshme nga barnat e disponueshme deri më tani. Nuk do të thosha se ato mbulojnë një boshllëk specifik aq sa plotësojnë opsionet tona të trajtimit”.

Kostoja e trajtimit me të ashtuquajturat ”produkte farmaceutike të kanabisit” mbulohet ekskluzivisht nga pacientët, pasi nuk ka mbulim të sigurimit shtetëror, ndërsa gjetja e dozës së duhur është një proces hap pas hapi, i përshtatur individualisht për çdo pacient, në bashkëpunim me mjekun.

Anna Paga vuri në dukje se, në rastin e saj, pati një përmirësim spektakolar në simptomat e saj dhe ulje të ndjeshme të inflamacionit të shkaktuar nga gjendja e saj, me treguesit e inflamacionit që u kthyen në nivele normale pas tetë muajsh trajtimi.

”Ndërsa kanabisi farmaceutik mund të mos jetë një ilaç, unë di që kam shpëtuar”, tha ajo.

Mjekët që kanë të drejtën e kanabisit farmaceutik me recetë në Greqi përfshijnë anestezistë, neurologë dhe patologë të specializuar për kancerin, infeksionet dhe reumatizmin.

Recetat mund të përsëriten më pas nga mjekë të tjerë për gjashtë muaj, por trajtimi duhet të rivlerësohet më pas nga një specialist.

Sipas Karanastasit, nuk ishte një proces për t’u futur lehtë, pasi mjeku duhet të jetë i trajnuar mirë dhe i ditur në përdorimin e tij.

Ajo vuri në dukje se produktet e kanabisit që duhet të përshkruhen janë ato që përmbajnë më shumë se 0,2 për qind të tetrahidrokanabinolit psikoaktiv Delta-9 (THC) “por edhe ato që nuk kërkojnë recetë janë farmakologjikisht aktive dhe nuk duhet të merren pa mbikëqyrjen e një profesionisti të trajnuar shëndetësor”.

Kushtet për të cilat indikohet përdorimi i tij përfshijnë nauze dhe të vjella të shkaktuara nga kimioterapia për kancerin dhe AIDS/HIV, dhimbje dhe spasticitet në sklerozën e shumëfishtë, dhimbje të vazhdueshme që nuk i përgjigjet trajtimeve në dispozicion ose ku trajtimet nuk tolerohen mirë nga pacientët dhe rritje oreksi i pacientëve që marrin kujdes paliativ./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like