Granata e kallash ndaj Policisë së Kosovës në Veri – Shqip

by admin
Spread the love

Një sulm me granatë e kallash ka ndodhur në veri të Kosovës, ku në shënjestër kanë qenë pikërisht policë kosovarë. Sipas ministrit të Brendshëm Xhelal Svelça, ky është një akt terrorist.

“Sot rreth 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke realizuar ndërrimin në pikat kufitare.

Ky sulm tashmë i faktuar me granat dore dhe AK 47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të policisë dhe qytetarëve.

Grupet e ndryshme në 3 ditët e fundit kanë bërë katër sulme ndaj Policisë së Kosovës”, tha ai.

“Ky është sulmi i katërt me radhë”, tha Svelça.

“Tentim-sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqë metalikë në rrugën nacionale, në kohën përafërsisht të njëjtë me sulmin e së premtes, me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”.

Sipas tij, sulmi i dytë ka ndodhur përmes gjuajtjes me gurë drejt Policisë së Kosovës.

Sulmi i tretë në mbrëmjen e së enjtes është bërë me armë zjarri dhe ka ndodhur në afërsi të pikës së kontrollit për pengimin e shfrytëzimit të rrugëve ilegale.

Në gjykimin e Svelças, ky mund të jetë një reagim ndaj faktit se Policia e Kosovës ka mbyllur disa rrugë të dyshuara si ilegale, si pjesë e operacionit në parandalim të kontrabandës dhe aktiviteteve tjera kriminale.

“Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i Policisë së Kosovës, që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës, është bërë pengesë për Serbinë, për grupe të caktuara, të cilat mbështeten drejtpërdrejt nga Serbia dhe realisht ua prish planet të gjithë atyre, të cilët Kosovën e kanë parë potencialisht si çerdhe të krimit të tyre dhe si vazhdimësi të krizave tjera”, argumentoi Svelça.

“Grupe të caktuara të mbështetura nga kushdo, nuk do të mund ta rrezikojnë sigurinë e vendit tonë”, ka deklaruar Sveçla. /tesheshi.com/

 

 

 

You may also like