Gosens është i bindur: Fitorja me Juventusin do të na çojë te titulli

by admin
Spread the love

Thotë se nuk beson tek supersticionet, por Robin Gosens e di shumë mirë se çfarë i rezervon e ardhmja e afërt për fundin e sezonit me Interin. “Fitorja në kampionat kundër Juventusit? Ai sukses do të na çojë më pas edhe te titulli kampion”, u shpreh Gosens në një intervistë të gjatë dhënë për DAZN Gjermani.

“Përpara kësaj ndeshje thoshim se nëse fitonim do të shpalleshim kampion. Dhe kështu do të ndodhë, jam shumë i bindur”

Mbrojtësi i majtë i Interit u rikthye për të folur edhe njëherë për momentet më të ulëta dhe më të larta të karrierës së tij tek Atalanta, si dhe transferimin e tij në radhët e zikaltërve.

“Është çmenduri që kam mundësinë të luaj në një nga klubet më të mëdha në botë, mbi të gjitha pas një dëmtimi. Është vërtetë një situatë argëtuese këtu, Interi ka një skuadër të madhe dhe një dëshirë të pabesueshme për të fituar gjithmonë.

Gjithashtu është edhe presioni për të fituar të gjitha ndeshjet, por kjo është ajo që e bënë gjithçka fantastike. Interi ishte një rast unik. Tani kam konkurrencën e një lojtari si Perisic që është duke zhvilluar një sezon të madh dhe ka fituar gjithçka. Por jam shumë i sigurt se kjo sfidë do të më ndihmojë”.

Sigurisht që ai kishte edhe disa fjalë për Atalantën dhe trajnerin Gian Piero Gasperini me të cilin kaloi kohë të mrekullueshme: Do të jem gjithmonë mirnjohës ndaj tij. Tek Atalanta luanim gjithmonë me një sistem offensiv që i mbante lojtarët e krahut shumë lartë. Kam shënuar shumë gola sepse kisha lirinë për të sulmuar shtyllën e dytë.

Është një gjeni kur flitet për ndërtimin e një skuadre, jam përmirësuar shumë prej tij. Nuk kishim domosdoshmërisht një raport të jashtëzakonshëm, sidomos në ditët e para. Por më pas ai më tha se nuk kishte trajnuar kurrë një lojtar që kishte bërë kaq shumë hapa përpara dhe që ishte përmirësuar kaq shumë. Ai më tha gjithashtu se Interi do të ishte lëvizja e duhur për momentin. Në fund doli që ishte një transferim fantastik”

Për sa i përket momenteve më të rëndësishme në karrierë, Gosens kujton atë çerekfinale të humbur në vitin 2020 në minutat e fundit me PSG.

“E “hëngrëm” PSG në pjesën e parë. Megjithatë, ne luanim çdo tre ditë në 40 gradë për të rikuperuar shumë ndeshje (për shkak të ndalimit nga pandemia). Kështu dalëngadalë i ezauruam energjitë tona. Nga fundit i takimit ata aktivizuan Mbappe, që nuk ishte në 100%, por “i vuri flakën” krahut dhe dha dy asist. Mbijetuam deri në minutën e 90-të, por më pas ëndrra përfundoi.

Më pas ai tha edhe një anekdotë për numrin e fanellës. “Unë kam një numër të ri në fanellë pasi teta ishte i zënë nga Vecino, një lojtar që është në klub prej kohësh. Nuk doja të insistoja për ta marrë. Më duket idiotllëk që të shkoj në një klub të ri dhe të kërkoj menjëherë një numër në fanellë.

Lidhja me numrin e fanellës? Teta është numri që më ka shoqëruar përgjatë gjithë karrierës time, kështu që doja të paktën numrin 18. Isha i fiksuar me numrin 8 që kur luaja te Vitesse, prandaj është ai numri me të cilin kam më shumë lidhje emocionale, por jo nuk jam supersticioz”. /oversport.tv

You may also like