Golat dhe rastet në ndeshjen Drenica – Gjilani

by admin
Spread the love

Rikthimi në shtëpi nuk i solli fat Drenicës.

Madje e kundërta iu ndodhi në fillim të ndeshjes.

Shend Kelmendi shënoi golin epërsisë me parabol, e në tentim për ta ndalur topin që po shkonte në rrjetë u lëndua rënd Azem Bejta.

Pas përplasjes me kokë në shtyllë ai u detyrua të largohet me ambulancë nga stadiumi “Bajram Aliu”.

Goli e as lëndimi i Bejtes nuk i dekurajoi drenicasit. Agim Zeka kishte një mundësi të artë për të shënuar, megjithatë Enea Koliqi bëri mrekullinë për t’ia pamundësuar shënimin.

Në anën tjetër, gol të sigurt shpëtoi edhe portieri Drenicës, Altin Gjokaj.

Ndërsa, bashkë lojtarët tij e shtuan presionin për të barazuar rezultatin para se të shkonin në pushim prej 15 minutave.

E atë e arritën krejt në fund të pjesës së parë kur Besfort Dervishaj u tregua më i shkathëti në zonë dhe e mposhti Enea Koliqin.

Raste krijuan edhe në vazhdim futbollistët kuq e zi, por fati para portës iu mungoi.  E mysafirët u treguan dinak duke i goditur në momentet më të mira të tyre.

Baton Zabergja ishte autori i golit të fitores së parë në pranverë për Gjilanin.

Pas ndeshjes trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani tha se kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme për në vazhdim të kampionatit.

Në anën tjetër, menaxheri i Drenicës, Bekim Shotani tha se loja e hapur i kushtoj me humbje “Shqiponjave të zeza”.

Ndeshjen e radhës Drenica  e luan në udhëtim ndaj Malishevës në betejën  direkte për mbijetesë në Superligë, kurse Gjilani në shtëpi e pret Trepcen’89.

You may also like