Gol i hequr me VAR dhe penallti e pritur, Tirana “shkel” edhe Dinamon

by admin
Spread the love

Tirana nuk ndalet! Bardheblutë mposhtën me rezultatin e ngushtë 1-0 skuadrën e Dinamos dhe çojnë në 13 pikë diferencën me Laçin e vendit të dytë, që nesër pret Teutën. Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi iu fal një gol të Devid, VAR që i hoqi një Dinamo dhe portierit Bekaj që priti penalltinë e Agim Ibraimit.

Duel i fortë u zhvillua në “Elbasan Arena”, ku të dyja skuadrat tentuan të marrin tre pikët. Dinamo ishte më konkrete në fillim të ndeshjes dhe në minutën e 13-të goditi shtyllën pingule.

Blutë mbeten në sulm dhe dy minuta më pas Patrik Bardhi provoi me një diagonale brenda zonës dhe topi shkoi ngjitur me shtyllën. Tirana u kundërpërgjigj më pas me Seferin, por portieri Simoni ishte në gatishmëri dhe e ndaloi.

Dinamo vijoi me sulmet. Rimal Haxhiu provoi me një gjuajtje të pasaktë, kurse në minutën e 23-të Lilaj kishte një mundësi të artë brenda zone. Bekaj bëri mrekullinë dhe e ndali.

Nga goditja e këndit që u fitua erdhi goli nga Ali Samake, por VAR çoi dëm festën e Dinamos. “Xholi” i bluve e kishte prekur topin me dorë para se ta goditje dhe goli ishte i pavlefshëm.

Katër minuta më pas Tirana kishte mundësinë më të mirë. Xhixha nxori Devid të vetëm me portierin, por braziliani e çoi topin ngjitur me shtyllën pingule. Në 45 minutat e para pati tentativa nga Ibraimi e Limaj, që nuk ia dolën të shënojnë.

Me rezultatin 0-0 skuadrat shkuan drejt dhomave të zhveshjes. Chinedu për Dinamon dha një sinjal, por ritmi ka rënë disi. Tirana nga ana tjetër rrezikoi me Limajn, i cili në pozicion mjaft të mirë brenda zone gjuajti në qendër dhe nuk shënoi dot.

Tirana e kishte të qartë që duhet të shënonte dhe ia doli në minutën e 69-të. Xhixha asistoi për Devid dhe braziliani këtë herë nuk gaboi, duke i dhënë epërsinë kryesuesve të Superiores. Dinamo në minutën e 86-të fitoi një penallti, me VAR, për një prekje të topit me dorë nga Zhivanaj.

Kapiteni Agim Ibraimi u vu përballë Bekajt dhe ky i fundit e ndali lojtarin e Dinamos dhe i dha mundësinë Tiranës për të marrë një tjetër fitore, që e afron edhe më shumë drejt titullit kampion. / oversport.tv

You may also like