goditja e radhës për ish-kryeministrin pakistanez – Shqip

by admin
Spread the love

Një gjykatë pakistaneze dënoi ish-kryeministrin Imran Khan dhe ndihmësin e tij të ngushtë, ish-ministrin e Jashtëm Shah Mahmood Qureshi, me 10 vjet burg me akuzën e nxjerrjes së sekreteve shtetërore, vendimi i dytë kundër Khan në muajt e fundit, vetëm dhjetë ditë para zgjedhjeve.

Rasti lidhet me dyshimet se Khan ndau përmbajtjen e një mesazhi sekret diplomatik dërguar nga ambasadori në Uashington qeverisë në Islamabad.

Syed Zulfiqar Bukhari, një zëdhënës i partisë Pakistani Tehreek-e-Insaf (PTI) të Khanit, i tha Al Jazeera-s se PTI do të kundërshtonte vendimin e gjykatës.

Gjyqi u mbajt në “mënyrë të paligjshme”, tha ai.

“Avokatët tanë nuk u lejuan të përfaqësonin Imran Khan. Ata nuk u lejuan as të merrnin në pyetje dëshmitarët. Ajo që po ndodhte në gjykatë ishte vetëm një mashtrim”, tha Bukhari.

Ky është vendimi i dytë në muajt e fundit ndaj ish-kryeministrit. Ai ishte dënuar më parë me tre vjet për një rast korrupsioni.

Khan iu votua mosbesimi në parlament në vitin 2022 dhe për shkak të vendimeve, ai nuk ka mundësi të marrë pjesë në zgjedhje.

Khan thotë se rasti me kabllogram diplomatik është dëshmi e një komploti nga ushtria pakistaneze dhe qeveria amerikane për të rrëzuar qeverinë e tij në vitin 2022, pasi ai vizitoi Moskën pak para pushtimit rus të Ukrainës.

Rasti i tij ngjan me atë të Mohamed Mursi në Egjipt, por jo aq tragjik. Ish-presidenti egjiptian, pasi fitoi Presidencën në zgjedhje të lira, u rrëzuar me grusht shteti. Më pas nisi kalvari i dënimeve me lloj lloj akuzash, derisa ndërroi jetë në burg. /tesheshi.com/

You may also like