Gjyqi civil për mashtrim në Nju Jork, Trump: Nuk kam bërë asgjë të gabuar

by admin
Spread the love

Ish-Presidenti Donald Trump i tha të enjten një gjykatësi në Nju Jork, se ai “nuk ka bërë asgjë të gabuar”.

Komentet zoti Trump i bëri në një gjyq civil, i akuzuar për mashtrim me të dhënat financiare të bizneseve të tij, një proces që rrezikon perandorinë e biznesit të ish-presidentit. Të enjten palët paraqitën argumentet përmbyllëse.

Zoti Trump bëri një deklaratë befasuese nga tavolina e tij e mbrojtjes, pasi avokatët e tij, përfunduan argumentet mbi këtë çështje.

I nderuar gjykatës, shikoni, unë nuk kam bërë asgjë të keqe. Ata duhet të më paguajnë mua”, tha zoti Trump.

Gjyqtari Arthur Engoron, i kërkoi avokatëve të tij që të vendosnin nën kontroll klientin e tyre, duke iu referuar ish-presidentit.

Në ditën e fundit të gjyqit, gjykatësi reagoi në mënyrë skeptike ndaj argumentit të një prej ovkatëve të zotit Trump, se ish-presidenti, nuk duhet të penalizohet mbi dyshimet për manipulim të vlerës së pronave të tij, sepse huadhënësit dhe kompanitë e sigurimeve që kanë bërë biznes me të, gjithsesi kanë përfituar, siç tha ai.

Gjyqi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie për shkak të një kërcënimi ndaj gjyqtarit të çështjes, Arthur Engoron. Zëdhënësi i gjykatës nuk dha detaje të mëtejshme mbi kërcënimin.

Prokurorët kërkojnë vendosjen e një gjobe prej 370 milionë dollarësh ndaj ish-presidentit, të cilin e akuzojnë se ka mbivlerësuar vlerën neto të pasurive të tij për të përfituar kredi nga bankat.

Në padinë e Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James thuhet se zoti Trump dhe bashkëpunëtorët e tij, e kanë fryrë vlerën pasurive me miliarda dollarë, me qëllimin për të siguruar për më shumë se një dekadë, kushte më të mira kredie dhe përfitime të tjera financiare.

Zoti Trump, pretendenti kryesor i republikanëve si kandidati i tyre për president, ka mohuar të ketë shkelur ligjin duke e cilësuar çështjen kundër tij, një gjueti politike shtrigash. Ai është ankuar se gjyqi po ndërhyn në fushatën e tij dhe ka përdorur paraqitjet e rastësishme në gjykatë, për të siguruar mbështetje me komente nxitëse para kamerave të mbledhura në ambjentet jashtë sallës.

Ndërkohë të mërkurën, gjykatësi Engoron hodhi poshtë një kërkesë të zotit Trump që t’i paraqiste vetë argumentet përmbyllëse, pasi ish-presidenti nuk ra dakord me rregullat bazë, që e ndalojnë atë të mbajë në gjykatë, një “fjalim fushate”.

Procesi civil i Nju Jorkut është një nga problemet e shumta ligjore me të cilat përballet zoti Trump ndërsa bën fushatë për të sfiduar Presidentin Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.

Pas paraqitjes së argumenteve përmbyllëse nga palët, gjykatësi Engoron pritet të marrë një vendim në një datë të mëvonshme. Në shtator ai e shpalli zoti Trump përgjegjës për mashtrim, ndërsa procesi në vazhdim u përqëndrua kryesisht tek shuma e parave që zoti Trump duket të kthejë, pasi i ka siguruar në formë përfitimesh të paligjshme.

Zoti Trump e ka apeluar vendimin e mëparshëm të gjykatësit Engoron dhe është pothuajse e sigurt se ai do të apelojë çdo vendim kundër tij, çka mund të bëjë që vendimi përfundimtar të mos merret për më shumë se një vit.

Që nga fillimi, zoti Trump ka kundërshtuar mënyrën se si zoti Engoron ka drejtuar procesin gjyqësor ndaj tij. Në nëntor gjykatësi lëshoi një urdhër që e ndalonte ishte presidentin të bënte komente, duke e akuzuar atë për ofendim të personelit të gjykatës. Zoti Trump është gjobitur me 15,000 dollarë në total, për dy herë shkelje të urdhrit.

Në procesin civil, janë thirrur për të dëshmuar edhe fëmijët e rritur të zotit Trump, Donald Jr., Eric dhe Ivanka Trump. Ata kanë thënë se ishin pak ose aspak të përfshirë në përgatitjen e pasqyrave financiare të babait të tyre gjatë drejtimit të Organizatës Trump. Të tre kanë mohuar të kenë shkelur ligjin.

Ndryshe nga vëllezërit e saj, Ivanka Trump nuk është thirrur si e pandehur, raporton VOA.

Veç këtij rasti, ish-Presidenti Trump përballet me katër procese penale këtë vit. Ai është akuzuar në Uashington dhe Xhorxhia për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, në Florida për keqpërdorim të qëllimtë të dokumenteve të klasifikuara dhe në Nju Jork, për një pagesë për të siguruar heshtjen e aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels. Ish-Presidenti Trump është deklaruar i pafajshëm për të gjitha këto raste.


Top Channel

You may also like