Gjykata Supreme e refuzoi kërkesën e Gruevskit për rishikim të aktgjykimit për “Parcelat në Vodno ”

by admin
Spread the love

Gjykata Supreme e hodhi poshtë si të pabazuar kërkesën për rishikim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore Penale Shkup për rastin “Parcelat në Vodno”, të parashtruar nga ish-kryeministri i dënuar Nikolla Gruevski.

Këshilli për vepra penale pranë Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut sot në seancën e mbajtur më 20.12.2023 vendosi për kërkesën e parashtruar për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të plotfuqishëm në lëndën KVP-KOK2-nr.16/ 23, e njohur në opinion si “Parcelat në Vodno”.

Këshilli për vepra penale në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi aktgjykim me të cilin kërkesa e të dënuarit N.G. për shqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore Penale Shkup KOK nr. 63/21 të datës 21.04.2022 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit Shkup KOKZH nr. 127/22 të datës 14.02.2023, e refuzoi si të pabazuar, theksohet në kumtesën e Gjykatës Supreme.

Gruevski për “Parcelat në Vodno” u dënua fillimisht me shtatë vjet burg, ndërsa këtë vit Apeli e ndryshoi aktgjykimin dhe ia rriti dënimin në nëntë vjet burg.

Nikolla Gruevski në vitin 2018, pas shpalljes së dënimit me burg për rastin “Tanku”, u arratis në Hungari, ku mori azil. Autoritetet maqedonase kanë lëshuar një fletarrest ndërkombëtar për të.

 

MARKETING



You may also like