Gjini s’beson se do të injorohet nga Kurti, dëme ekonomisë po i sjellë ndërtimi i rrugës Dollc-Gjakovë

by admin
Spread the love

Rizgjedhja e Ardian Gjinit edhe për një mandat në krye të Gjakovës, do të nisin me punë të mëdha, që nga nisja e konstituimit të asamblesë komunale e deri të planifikimi i buxhetit për vitin 2022, raporton Ekonomia Online.

Ardian Gjini që në
zgjedhjet e 14 nëntorit u konfirmua edhe për një mandat në ulëse të kryetarit,
tha se projektet që janë paraqitur në fushatë do të finalizohen këtë mandat.

Në një intervistë
për Ekonomia Online, Gjini thotë se do të vazhdojnë me projektet që kanë qenë
vazhdimësi dhe me disa që do të nisin në vitin e ardhshëm.  

“Puna e parë
është me e konstituua asamblenë komunale dhe administratën e re, atëherë
menjëherë fillojmë me planifikimin për vitin 2022. Është koha kur planifikohet
buxheti, kryhet plani i prokurimit, pra ka shumë punë që na presin menjëherë,
ndërsa te projektet kemi projekte që janë vazhdimësi dhe disa që nisin vitin e
ardhshëm, të cilat i kemi buxhetuar dhe i kemi paraqitur në fushatë”, tha
ai.

Shpesh herë ankesë
e madhe e Gjinit ka qenë injorimi i institucioneve qendrore për projekte
madhore në Komunën e Gjakovës, për çka thotë se penalizimin e vuan qytetari e
jo kryetari i komunës.

Por ai tash po pret
që nuk do të ketë injorim nga kreu i Qeverisë, Albin Kurti.

“Ne do të
aplikojmë si të gjitha komunat tjera, unë nuk besoj se mundemi me arrit në një
situatë në të cilën Qeveria e Kosovës i penalizon qytetarët e vet sepse nuk
penalizohet kryetari i komunës por qytetarët, dhe nuk besoj se kemi mbërri deri
aty si vend dhe politikë, sidoqoftë, edhe Komuna e Gjakovës ka ecur
jashtëzakonisht shumë në fondet e veta, me të hyra të veta dhe me investimet
kapitale. Do t’i shfrytëzojmë në mënyrën më racionale dhe maksimalisht për
benefite të qytetarëve”, tha ai.

Dëme të
konsiderueshme ekonomisë në Gjakovë, Gjini thotë se po i bëjnë zvarritjet e
punimeve në ndërtimin e rrugës nacionale Dollc-Gjakovë.

Për këtë, ai shpreson
se vitin e ardhshëm të ndërtohet kjo rrugë, raporton EO.

“Zvarritja e
punimeve tani po e shohim që një segment po punohet më intenzivisht, mirëpo
zvarritja e punimeve është dëm për ekonominë e Gjakovës dhe për qytetarët,
mirëpo po besoj se vitin tjetër do të ketë një angazhim më të madh”, tha
Gjini.

You may also like