Gjimshiti rekord europian, Berisha mes më të mirëve. Portieri e mbrojtësi, pjesë e formacionit të javës në Serinë A

by admin
Spread the love

Empoli arriti që të mar rë fitoren e parë në Serinë A. Kjo arritje erdhi pas triumfit në fushën e Fiorentinës, me këta të fundit që po kalojnë një formë të mirë dhe nuk ishte tepër e lehtë që t’iu “rrëmbeje” pikët e plota. Pavarësisht golave të shënuar nga Kaputo dhe Giasi, skenën e mori Etrit Berisha me pritjet e tij spektakolare.

Portieri ishte vendimtar në disa momente dhe në total regjistroi plot 7 pritje, teksa 5 prej tyre ishin brenda zonës. Ai gjithashtu bëri edhe 3 grushtime të sakta, duke u shndërruar në një hero për skuadrën e Empolit.

Berisha arriti të shpallej lojtari më i mirë i ndeshjes, duke u bërë “bllok” disa herë lojtarëve të Fiorentinës, të cilët kërkonin të barazonin shifrat, derisa miqtë shënuan golin e dytë 10 minuta nga fundi dhe mbyllën takimin. Kjo paraqitje i ka mundësuar 34-vjeçarit një vend në formacionin më të mirë të javës sipas “WhoScored”. Por, jo vetëm, pasi edhe një tjetër lojtar kuqezi zuri vend mes më të mirëve në kampionatin italian.

NJË “MUR” SI GJIMSHITI- Atalanta ka vendosur një rekord europian në këtë sezon. Skuadra e Berat Gjimshitit është ekipi i vetëm në pesë kampionatet më të fortë në botë që nuk ka pësuar gol në pesë ndeshjet e luajtura në shtëpi, katër në kampionat dhe një në Ligën e Europës.

Një tregues edhe për repartin e mbrojtjes, me në qendër shtatlartin e Kombëtares shqiptare dhe nga krahët Skalvini dhe Kolashinac, e Toloin që është gati kur thirret në detyrë. Bergamaskët e Gasperinit fituan 2-0 në shtëpi ndaj Xhenoas, takim ky ku Berat Gjimshiti zhvilloi një paraqitje model dhe kështu ka zënë një vend në formacionin e javës.

EFEKTI NË KOMBËTARE Pavarësisht se me Armeninë dhe Bullgarinë ishin dy miqësore të luajtura në Tiranë, Kombëtarja shqiptare ka arritur që ta mbajë portën e paprekur në pesë takimet e fundit të luajtura në shtëpi.

Përveç dy sfidave të sipërpërmendura, Shqipëria nuk pësoi gol as ndaj Moldavisë, Çekisë dhe Polonisë, madje duke dalë me rezultat pozitiv nga këto takime. Patjetër që një meritë për këtë arritje e ka edhe dyshja e Serisë A, portieri Etrit Berisha dhe mbrojtësi Berat Gjimshiti, dy pika të rëndësishme në këto kualifikuese.

KRISTI SEJATLLARI -PANORAMASPORT.AL

The post Gjimshiti rekord europian, Berisha mes më të mirëve. Portieri e mbrojtësi, pjesë e formacionit të javës në Serinë A appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

You may also like