Gjiko sot del para Gjykatës, i dyshuar për dhunimin e një femre të mitur

by admin
Spread the love

Reperi Asdren Gjikolli, i njohur me nofkën artistike Gjiko, sot do të dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë si i dyshuar për dhunimin e një femre të mitur, raporton portali “Front Online”.

Portali Front Online më 23 mars 2022 ka raportuar i pari për aktakuzën e ngritur në vitin 2017, sipas të cilës, Gjiko akuzohet se ka rënë në kontakt me një femër të mitur, të cilën e ka mashtruar se do ta bënte këngëtare dhe do ta angazhonte në spote të këngëve. Me të njëjtën, bazuar në këtë dokument, dyshohet se ai ka kryer edhe mardhënie seksuale.

Aktakuza është ngritur nga prokurorja Sebahate Hoxha.


Përndryshe, javë më parë nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar për Front Online se seanca e shqyrtimit fillestar ishte mbajtur më 25 mars 2022, e cila me kërkesë të palës mbrojtëse është shtyrë për 26 prill 2022.
“Ju njoftojmë se lidhur me këtë lëndë është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar me datë 25.03.2022, e cila është shtyrë për datë 26.04.2022 me kërkesë të mbrojtësve të të pandehurve me qëllim të pajisjes me shkresa të lëndës”, pati thënë javë më parë për Front Online zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Gashi nuk kishte dhënë detaje të tjera se çfarë është duke ndodhur me këtë çështje, duke pohuar se seancat janë të mbyllura, për shkak se palët e dëmtuara janë persona të mitur.

“Lidhur me rastin e të pandehurve A.GJ etj, ju njoftojmë se në këtë rast seancat janë të mbyllura për publikun, pasi që rasti ka të bëjë me lëndë ku dyshohet se të përfshirë si palë të dëmtuara janë persona të mitur, andaj të gjitha procedurat në raste të tilla janë konfidenciale”, pati deklaruar ajo.

Përndryshe, Front Online ka raportuar i pari për aktakuzën ndaj reperit Gjiko, përderisa aktakuzën e plotë në disa vazhdime e ka botuar portali Insajderi.org.

Gjiko ka mohuar aktakuzën dhe nëpërmjet avokatit të tij ka paditur drejtuesit e Front Online, Lavdim Hamidi dhe Enis Veliu, për shpifje dhe ka kërkuar masë të përkohshme. Një padi të tillë ai e ka bërë edhe ndaj mediumeve Insajderi.org dhe Demokracia.

Pas kësaj ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), pasi që, sipas këtyre të fundit, këto padi nuk kanë për qëllim të fitohen në Gjykatë por të frikësojnë mediat dhe të largojnë vëmendjen nga akuzat që rëndojnë ndaj këngëtarit Gjiko.

AGK-ja ka shprehur besimin e saj që Gjykata Themelore në Prishtinë do të trajtojë këto padi në mënyrë profesionale dhe në pajtim me standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Javën e kaluar 39 Organizata dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë kërkuar nga këngëtari Asrden Gjikolli, i njohur si Gjiko, ta tërheqë padinë SLAPP për shpifje dhe kërkesat për masa të përkohshme kundër gazetarëve të FrontOnline, Lavdim Hamidi dhe Enis Veliu.

Organizatat e shoqërisë civile konsiderojnë se padia e shoqëruar me kërkesat për masa të përkohshme është Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (padi SLAPP) dhe si e tillë nuk ka gjasa që të ketë sukses në gjykatë.


You may also like