Gjermania synon të zgjerojë masivisht rrjetin e rikarikimit të makinave elektrike

by admin
Spread the love

Gjermania synon të zgjerojë në shkallë të gjerë rrjetin e rikarikimit për automjetet elektrike dhe do të shpenzojë 6.3 miliardë euro (6,17 miliardë dollarë) në tre vitet e ardhshme, pasi pret që gjithnjë e më shumë drejtues të largohen nga makinat me motor me djegie të brendshme drejt mjeteve që respektojnë më shumë klimën.

Ministri i Transporteve i vendit prezantoi të mërkurën “një plan të përgjithshëm” që do të përmirësojë infrastrukturën e rikarikimit, i miratuar gjatë ditës nga kabineti i kancelarit Olaf Scholz.

“Ne nuk jemi një vend i çfarëdoshëm në prodhimin e makinave, por një ndër vendet kryesore në botë. Ndaj është e arsyeshme për ne që ajo që po përgatisim të ketë sukses”, – u deklaroi Volker Wissing gazetarëve në Berlin.

“Kemi nevojë për zgjerim largpamës të infrastrukturës së rikarikimit në nivel kombëtar, që të plotësojë kërkesën dhe të jetë e përshtatshme nga përdoruesit”.

Pjesa e automjeteve elektrike në Gjermani u rrit me 24.8% nga viti në vit, duke arritur në total 14.6% të të gjitha automobilave të regjistruar rishtazi, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e vendit për Automjetet me Motor. Në vend janë rreth 70,000 pika rikarikimi, por vetëm 11,000 prej tyre janë rikarikues të shpejtë, tha ministria.

Kjo nuk mjafton që të përmbushen kërkesat aktuale dhe do të jetë edhe më pak me rritjen e shpejtë të numrit të makinave elektrike.

Ndër të tjera, ka një ndryshim të madh në shpërndarjen e pikave të rikarikimit midis qyteteve të mëdha dhe zonave rurale, ku është edhe më e vështirë të gjesh stacione rikarikimi. Objektivi i qeverisë gjermane është të arrihen 1 milion pika rikarikimi në dispozicion të njerëzve në vend brenda vitit 2030.

Mes nismave të tjera, qeveria gjermane, për të rritur numrin e pikave të rikarikimit, do të vërë në dispozicion zona, veçanërisht përgjatë autostradave, ku do të ndërtojë stacione të reja rikarikimi. Pronarëve privatë të automjeteve elektrike do t’u ofrohen plane financimi për të instaluar panele me energji diellore në shtëpitë e tyre për të rikarikuar makinat gjatë natës.

Rikarikimi elektrik supozohet se do të bëhet më i thjeshtë për t’u përdorur, falë ofertave të reja dixhitale që do t’u tregojnë drejtuesve se ku mund të rikarikojnë automjetet në rrugë dhe mund të kontrollojnë online kur kërkojnë pika të ndryshme rikarikimi, tha ministri.

Një tjetër çështje që qeveria synon të zgjidhë është krijimi i rrjetit elektrik në vend, për rritjen e kërkesës, ndërsa më shumë njerëz u drejtohen makinave elektrike.

“Ne presim një rritje të madhe të numrit të automjeteve me bateri në vitet e ardhshme dhe duhet të përgatitemi” – deklaroi ministri.

Kalimi i gjermanëve nga automjetet me motor me djegie të brendshme tek ato elektrike luan rol të rëndësishëm në arritjen e objektivave klimatikë të vendosura nga qeveria për sektorin e transporteve.

Procesi i kalimit tek automjetet elektrike është nxitur edhe nga një ndërthurje presionesh rregullatore, lehtësimesh fiskale, përmirësimi i autonomisë së baterive dhe një game më të gjerë të automjeteve për t’u blerë.

Europa, në përgjithësi, po udhëheq garën drejt automjeteve elektrike, me hyrjen e automjeteve elektrike në tregun e përbashkët, duke premtuar të eliminojë gradualisht automjetet me motor me djegie të brendshme brenda vitit 2035.
Por përhapja e pikave të rikarikimit është një problem jo vetëm në Gjermani, por në thuajse gjithë kontinentin.

“Numri i pikave të rikarikimit elektrik përgjatë rrjeteve rrugore në pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Europian jo vetëm që është i pamjaftueshëm, por pjesa më e madhe nuk rikarikohen mjaftueshëm shpejt”, – deklaroi Shoqata Europiane e Prodhuesve të Automobilave.

Apo siç tha ministri gjerman: “Lëvizshmëria elektrike do të pranohet vetëm nëse rikarikimi do të jetë po aq i thjeshtë sa furnizimi me karburant sot”.

/ AP


Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like