Gjermania, “atdheu” i shqiptarëve!

by admin
Spread the love

Sado që të duket shumë skematik, madje shpeshherë edhe i keqpërdorur nga politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri, por edhe më gjerë, orientimi properëndimor mbetet pa alternativë. Por, ky orientim nuk duhet të jetë i jetësuar me një lloj luajaliteti të tejskajshëm, siç mendojnë dhe veprojnë disa politikanë ose “elita” intelektuale shqiptare në stilin “më katolik se Papa”.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Ka mjaftuar vetëm një projekt për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Rexhep Mitrovicës, që të nxjerrë në sipërfaqe dallimet ideologjike midis shqiptarëve, kryesisht intelektualëve në Kosovë, të cilët debatin shpesh e reduktojnë në pozicionimet mbi binomin “me partizanët apo me gjermanët”!

Shqiptarët në filmin “Partizanët dhe gjermanët”!

Ky debat zhvillohet me tone të ashpra, me argumente dhe kundër-argumente, se kush ka qenë në anën e drejtë apo të gabuar të historisë, kush kanë qenë vizionarë, ata që janë pozicionuar me Gjermaninë (fashiste) apo ata që janë pozicionuar në bllokun antifashist! Ky debat prodhon ndasi të reja në rrafshin etnik shqiptar dhe, shpesh, duke përdorur etiketime të mëdha ndaj personaliteteve historike dhe duke mos i kontekstualizuar ngjarjet historike. Etiketimet e tipit “nazist” apo “fashist”, qofshin edhe për një shqiptar, nuk i bëjnë nder historisë së lavdishme të shqiptarëve, të cilëve shkenca botërore historike ua ka njohur kontributin e madh civilizues-human për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pra, shqiptarët, fatmirësisht, nuk kanë qenë pjesë e asnjë formacioni ose veprimi antisemit. Andaj, shqiptarëve nuk u duhet të riluajnë, duke u bërë pjesë e skenarit të filmit “Partizanët dhe gjermanët”, pasi proceset historike që lidhen me Luftën e Dytë Botërore janë të përfunduara, pozicionimi i shqiptarëve është i ditur dhe, mbi të gjitha, historia nuk ka evidentuar padrejtësi ose gabime kolosale në trajektoren e zhvillimeve globale!

Tifozët shqiptarë të Gjermanisë dhe Zvicrës!

Sot nuk ka dilema se shteti gjerman është njëri ndër aleatët kryesorë të shqiptarëve. Ky “aleancizëm” ose luajalitet nga Gjermanisë së sotme shkon deri aty, saqë, siç tregonte këtyre ditëve një mik, në ndeshjen midis Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë, kishte qenë tifoz me gjermanët. Që të jetë më i qartë, pozicionimin nuk e kishte bërë për arsye etnike (ose kombëtare), siç ndodh zakonisht. E ditur është se kur luan Maqedonia e Veriut me ndonjë shtet tjetër, një pjesë shumë e madhe e shqiptarëve bëjnë tifo për shtetet tjera, duke shfaqur në këtë mënyrë joluajalitetin ndaj atdheut ose vendit ku jetojnë, në shenjë “hakmarrjeje” ndaj diskriminimit sistematik-institucional që u është bërë gjatë historisë nga ish pushteti komunist dhe nga pushtetet gjoja demokratike-plurale. Ky shqiptar jotipik nuk bëhej pjesë e turmës “shqiptare etno-centrike”, me inercion ose për t’u dukur njëjtë ose ngjashëm si shumica ose kolektiviteti. Kur luante futboll Kosova dhe Shqipëria, ta zëmë me Zvicrën, ai bënte tifo për shtetin zviceran, edhe atë prapë jo vetëm pse në të luajnë shumë shqiptarë, por sepse ky shtet e lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, siguron mirëqenie ekonomike për qytetarët e tij, rrjedhimisht edhe për shqiptarët, shteti është në funksion të qytetarit e jo qytetari në shërbim të (pu)shtetit, ndërsa biznesi dhe pronarët e kompanive i trajtojnë punëtorët si subjekte të barabarta në procesin e arritjes së përfitimeve dhe nuk e trajtojnë gati si në marrëdhëniet skllavopronare, siç ndodh shpesh në ambientin ekonomik në vendin tonë dhe më gjerë në hapësirën shqiptare. Gjermania ka simpati nga shqiptarët, për shkak se është ekonomia më e fuqishme në Europë dhe ky shtet e ka ndihmuar zhvillimin e Shqipërisë, shtetndërtimin e Kosovës, duke qenë patronazh i pavarësisë së saj dhe eka mbështetur fuqishëm përmirësimin e statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Shumë shqiptarë sot, pikërisht në Gjermani, e sigurojnë ekzistencën ekonomike dhe për ta është më shumë se atdheu i tyre i vërtetë. “Ubi bene ibipatria”! (Atje ku është mirë, është atdheu im”) kanë thënë me të drejtë latinët e vjetër!

Orientimi properëndimor i shqiptarëve

Sado që të duket shumë skematik, madje shpeshherë edhe i keqpërdorur nga politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri, por edhe më gjerë, orientimi properëndimor mbetet pa alternativë. Por, ky orientim nuk duhet të jetë i jetësuar me një lloj luajaliteti të tejskajshëm, siç mendojnë dhe veprojnë disa politikanë ose “elita” intelektuale shqiptare në stilin “më katolik se Papa”. Servilizmi dhe nënshtrimi janë veti të cilat Perëndimi nuk i respekton, madje i lufton! Ne shqiptarët, kudo që ndodhemi, duhet të jemi të rreshtuar me Perëndimin, për shkak të vlerave që i promovon dhe që në masë të madhe u mungojnë dhe janë deficit te shqiptarët, siç janë liria, demokracia, ekonomia e tregut, shteti i së drejtës, kujdesi social, shëndetësia cilësore, arsimi në shërbim të interesit publik, kultura që prodhon estetikë dhe fisnikërim, humanizmi dhe solidariteti e shumë vlera të tjera europiane.

Kjo do të thotë se integrimi euroatlantik nuk nënkupton (nuk duhet të nënkuptojë as në të ardhmen) shpërfytyrim identitar të shqiptarëve, qoftë në dimensionin kulturor, të mentalitetit, ose edhe religjioz, pasi Europa është konglomerat i diversiteteve të shumta. Në Europë është e vërtetë se ekzistojnë qarqe radikale ose ekstreme shoqërore dhe politike, por edhe intelektuale, fatkeqësisht, të cilët e kundërshtojnë diversitetin dhe promovojnë edhe islamofobi, por e vërteta e madhe është se këto qarqe nuk e dominojnë spektrin politik europian dhe politika zyrtare në Bashkimin Europian e respekton identitetin religjioz jokristian. Nëse ndodh e kundërta ose hetohet se ka ndryshim, kursi në politikën e jashtme të BE-së dhe se identiteti multireligjioz, qoftë edhe në mënyrë të sofistikuar, duke përdorur argumente “reformuese”, mund të jetë pengesë për integrimin e shteteve, në të cilat jetojnë shqiptarët, atëherë kjo duhet thënë pa ekuivoke. Gjithashtu, orientimi drejt vlerave europiane nuk duhet ta përjashtojë bashkëpunimin me shtete tjera, që nuk janë pjesë e orbitës europiane dhe këtu nuk mendohet vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose Britania e Madhe, që doli nga “klubi europian”, por edhe për shtete të tjera me ndikim dhe ekonomikisht të zhvilluara. Integrimi nuk e përjashton as bashkëpunimin e afërt ekonomik midis shqiptarëve, përkatësisht midis Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve të tjerë të rajonit, por jo në projekte eksperimentuese të tipit “Ballkani i hapur”, i cili po promovohet si ekonomik edhe pse, në fakt, është kryekëput politik.

Shqiptarët kanë nevojë për integrim më të madh mes vete dhe kjo do ta ndihmojë trasimin e rrugëtimit europian. /shenja

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *

You may also like